Dhjetë automjete janë përfshirë në një aksident në autostradë, në afërsi të Fushë-Kosovës.
Një veturë e policisë, disa kamionë dhe vetura civile, sikur shihen në videon e Ekonomia Online, janë aksidentuar si pasojë e mjegullës së madhe.
Nga ky aksident zinxhiror kanë mbetur katër persona të lënduar, në mesin e tyre dhe një zyrtare policore.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, tha se kanë pranuar katër persona të lënduar. “Katër persona të lënduar janë duke u trajtuar. Të katërtit janë jashtë rrezikut për jetë”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë, të cilat po kryejnë të gjitha procedurat për hetimin e rrethanave dhe shkaqeve që kanë çuar deri te ky aksident i shumëfishtë.