Aksidenti me 5 persona të vdekur, Apeli e kthen në rigjykim rastin

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Erton Musliu ishte dënuar me 8 vite burgim, për akuzën se shkaktoi aksident në qershor të 2021-ës në Koshare të Ferizajt, ku humbën jetën pesë persona.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2022 e kishte dënuar Musliun me 8 vite burgim për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Mirëpo, Gjykata e Apelit ka vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e Apelit thuhet se është aprovuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Erton Musliu, avokatit Taulant Hodaj, dhe sipas detyrës zyrtare anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 27 maj 2022, ashtu që çështja penale i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje.

“Meqenëse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2021:217713, i datës 27.05.2022, është anuluar sipas detyrës zyrtare, ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe ankesa e përfaqësuesve të përbashkët të të dëmtuarve, avokatit Gazmend Sopa dhe avokatit Ekrem Agushi, tani për tani janë jo lëndore”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prizren, për shkak të vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, të ndryshohet përkitazi me lartësinë e dënimit, ashtu që të akuzuarit Erton Musliu t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Po ashtu, kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë kishte ushtruar dhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarve, avokati Gazmend Sopa dhe avokati Ekrem Agushi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal dhe kanë propozuar që për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par.5 lidhur me par.1 të KPK-së, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Erton Musliu, avokati Tauland Hodaj, kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, si dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe i akuzuari të shpallet fajtor për veprën penale të “Rrezikimit të trafikut publik” nga neni 370, par.9 lidhur me par.6 dhe 1 të KPK, të kryer nga pakujdesia, ose që çështja penale të anulohet dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të kthehet në rigjykim e vendosje.

Gjykata e Apelit në kuptim të nenin 394 të KPPK-së, duke vlerësuar pretendimet ankimore nga ankesat e ushtruara, nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbrojtësit të të akuzuarit Erton Musliu, avokatit Taulant Hodaj, si dhe përfaqësuesve të përbashkët të të dëmtuarve, avokatëve Gazmend Sopa dhe Ekrem Agushi, të propozimit me shkrim të Prokurorisë së Apelit në Prishtinë, si dhe shkresave tjera të lëndës ka gjetur se: “Aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij”.

Në vendim të Apelit thuhet se kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset në kuptim të nenit 394 të KPPK, dhe ka ardhur në përfundim se pretendimeve ankimore nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit janë të bazuara, sepse nuk është qartësuar se pellgu i ujit, a ka mundur që të jetë faktor determinues në kryerjen e kësaj vepre penale, me ç’rast këtu i akuzuari Erton e ka lëshuar anën e vet të rrugës dhe ka kaluar në anën tjetër, e kjo nuk është sqaruar as nga ana e ekspertizës së komunikacionit të punuar nga ana e ekspertit –inxhinier Xh.H. Përkundër asaj që i njëjti është dëgjuar përkitazi me ekspertizën e punuar, të njëjtat çështje nuk janë sqaruar, për çka kolegji konsideron se është mangësi në këtë çështje penale.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë duhet të përkujdeset që të vërtetojë edhe formën e kryerjes së veprës penale sikurse është dashja e cila konsiderohet si formë më e rëndë, më tipike dhe më e shpeshtë e fajit me të cilën kryhet vepra penale, e sidomos në rastin konkret, ku ndër të tjera në dispozitiv të aktgjykimit, në rreshtin e tretë, thuhet “me dashje eventuale shkel nenin 53, par.1 të Ligjit për Rregulluat e Trafikut Rrugor…”, duhet vërtetuar se kryerësi i veprës penale a ka qenë i vetëdijshëm për shkak të veprimit apo mosveprimit që mund të shkaktohen pasoja të ndaluara, mirëpo me vetëdije është pajtuar, është dakorduar që ajo të shkaktohet –neni 21 par.3 i KPK.

“Po ashtu, duhet pasur parasysh që kjo konsiston edhe në themelin e sajimit të përgjegjësisë penale, ngase kryesi edhe pse është i vetëdijshëm se me veprimin apo mos veprimin e vet krijon një rrezik të madh që të shkaktohet pasoja e ndaluar (të kryhet vepra penale ) dhe përkundër saj nuk abstenon nga kjo vepër penale, që në interpretim më të gjerë, duhet vërtetuar dëshirën e kryesit të veprës penale për ta kryer të njëjtën. Po ashtu në brendi, dhe natyrën e dashjes eventuale rezulton se forma e fajit është e përbërë nga dy elementet, elementi intelektual apo i vetëdijes dhe elementi voluntiv apo i dëshirës, të cilat duhet t’i vërtetoj me dëgjimin e ekspertit përkatës apo grupit të ekspertëve përkatës të psikiatrisë”, thuhet tutje.

Pas ndërmarrjes së këtyre veprimeve për të eliminuar kundërthëniet në aktgjykim, gjykata e shkallës së parë duhet të nxjerrë edhe prova të tjera sipas rrjedhës së procedurës, e më pastaj të bie vendim i cili do të ketë mbështetjen e duhur ligjore.

Në vendim thuhet se meqenëse aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është anuluar sipas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Erton Musliu, avokatit Taulant Hodaj, si dhe sipas detyrës zyrtare, ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe ankesa e përbashkët e përfaqësuesve të të akuzuarve, avokatëve Gazmend Sopa dhe Ekrem Agushi, tani për tani janë j0lëndore.

Ndërsa, sipas vendimit të Apelit, aty thuhet se në kuptim të nenit 402, par.4 të KPPK-së, të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit.

Sipas aktakuzës, më 6 qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare të Komunës së Ferizajt, i pandehuri duke drejtuar automjetin të markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika”, me dashje eventuale shkel nenin 53, paragrafin 1 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.

Aty thuhet se duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe kishte kaluar në shiritin e majtë rrugor, me ç’rast më pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II” në pjesën e përparme të anës së majtë, i cili automjet ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj.

Në aktin akuzues thuhet se në këtë aksident, në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë N.R., Xh.R., S.R. dhe i mituri Y.R., kurse I.R. ndërron jetë më pas në QKUK në Prishtinë. Gjithashtu, thuhet se L.H. person lëndime të rënda trupore, kurse Y.H. lëndime të lehta.

Me këtë, Erton Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Ndryshe, nga 6 qershori deri më 25 shtator 2021, Musliu ka qëndruar në paraburgim, kurse nga 25 shtatori e deri më 25 tetor atij i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme