Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për medie, tha se personat që mbrëmjen e së shtunës organizuan gara me vetura duke shkarkuar aksidentin që ua mori jetën tre të rinjve në magjistralen “Ibrahim Rugova”, e kishin bërë të njëjtën gjë edhe më herët, raporton Ekonomia Online.
Sveçla shtoi se kanë biseduar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën për “masat që duhet të ndërmerren, sidomos nga Policia e Kosovës në raport me organizimin e garave automobilistike të jashtëligjshme” dhe “për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik”.
Ai pohoi se drejtori i Policisë ka marrë masa “i dhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimit të garave të paligjshme”.
Këtë vit, ministri tha se 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.
Në mesin e masave të ndërmarra, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore” dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.
“Vitin që po e mbyllim Policia ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme abutomobilistike. Për rastin e së shtunës, Policia e Kosovës të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla, siç tashmë është bërë ditur, nga Policia e Kosovës të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie e rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patentë-shoferi për tejkalim shpejtësie”.
“Duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe humbjen e jetëve në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të masave dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis. Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni, duke përfshirë edhe këmbësorë”.
Sveçla, ka thënë se do të kërkojë që organizimi i garave të jashtëligjshme të cilësohet si vepër penale.
“Meqenëse plotësim- ndryshimi i ligjit për trafik është në kuvend, nga komisionet e përhershme do të kërkojë një amandament të ri ku organizimi i garave të paligjshme do të cilësohet si vepër penale. Patjetër që kjo pastaj do të kërkojë ndryshimet në Kodin Penal, por jemi të vendosur që këtë lloj aktiviteti ta ndalim maksimalisht”.
Fjalimi i plotë:
Në mbrëmjen e së shtunës, të gjithë jemi njoftuar për një aksident të tmerrshëm që ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova” teksa po mbaheshin gara të jashtëligjshme automobilistike, me ç’rast familjet Delija, Syla e Bibaj humbën më të dashurit, fëmijët e tyre. Mbrëmë po ashtu humbëm edhe një qytetar në aksidentin që ndodhi në Podujevë.
Sot jemi bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të diskutuar masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës në raport me organizimet e garave automobilistike të jashtëligjshme, për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik, për masat që ka ndërmarrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policor në trajtimin me prioritet ndaj organizimeve të garave të tilla ilegale dhe për veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarrim si institucione me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik.
Vitin që po e përmbyllim edhe pak ditë, Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike, të cilat përveç që janë të dënueshme me ligjet e Republikës së Kosovës, shkaktojnë edhe rrezik të përgjithshëm për qytetarët në komunikacion si në rastin që veçse ndodhi këtë të dielë.
Në rastin konkret të së shtunës, Policia e Kosovës të njejtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në shumë mediume të ndryshme, të njejtët kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie e rrezikim në komunikacion ndërsa njërit prej tyre këtë vit i ishte konfiskuar patentshoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të atij momenti.
Referuar angazhimit të Policisë së Kosovës për sigurinë në trafik, brenda këtij viti njësitet e komunikacionit kanë realizuar plane të veçanta operative që kanë pasur për qëllim uljen e rrezikut të shkaktimit të aksidenteve.
Për të siguruar efikasitet të zyrtarëve policor dhe mos-kompromis me shkelësit e rregullave në komunikacion, zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore ndërsa janë aktivizuar edhe veturat me pajisje inteligjente (smart-patrol) për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion. Në lokacione kyçe janë vendosur edhe zyrtarët me radar dore ndërsa janë kryer patrullime në komunikacion edhe nga njësia e zyrtarëve me motoçikleta dhe skuterë.
Të dashur qytetarë që na ndiqni e gazetarë që jeni sot këtu,
Përkundër të gjitha masave të lartëpërmendura dhe jo vetëm, duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe jetëve të humbura në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të veprimeve tona dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis.
Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni duke përfshirë edhe këmbësorë. Nuk kemi asnjë qytetarë për të humbur, veçanërisht për shkak të pakujdesisë së dikuj apo mosrealizimit të detyrave të zyrtarëve tanë.
Bashkë me Drejtorin e Policisë jemi takuar e kemi biseduar gjërësisht për veprimet që duhet të ndërmarrim me urgjencë dhe ditëve në vijim, do të aktivizojmë të gjithë mekanizmat tanë ndër-institucional për veprim në reagim dhe parandalim. Nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj personave që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit e që me veprimet e tyre shkakojnë raste edhe me fatalitet.
Në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Mjedis bashkë me Policinë e Kosovës përmes 60 takimeve, 1 dëgjimi publik dhe 1 punëtorie, kanë finalizuar amandamentet për plotësim ndryshimin e Ligjit për Rregullat e trafikut rrugor dhe me këtë rast parashihet të ketë ashpërsim të masave ndaj shkelësve të rregullave në komunikacion ndër të tjera dyfishim të vlerës së gjobave monetare, dyfishim të afateve kohore të konfiskimit të patentshoferëve dhe dyfishim të pikëve negative. Me plotësim ndryshimin e ligjit parashihet që përgjegjësia e shkeljeve në komunikacion të rëndojë mbi pronarin e veturës. Të gjitha këto ndryshime, do të mundësojnë vazhdimin e investimeve teknologjike për detektimin dhe parandalimin e shkeljeve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.
Para se të ja kaloj fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shprehë ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjithë familjet që kanë humbur të dashurit e tyre në komunikacion.
Duke pasur parasysh që këto ditë presim edhe ardhjen e mërgatës sonë dhe rritje të fluksit në komunikacion, apeloj për respektim të rregullave dhe kujdes të shtuar në komunikacion.
Ju faleminderit.





