Aktakuzë ndaj ish-drejorit të Urbanizimit në Klinë dhe dy zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës

Prishtinë | 20 Kor 2022 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Lorenc Marleku, A.G. dhe N.G., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, i Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Lorenc Marleku (në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes se Mjedisit në komunën e Klinës) dhe Ali Gashi (udhëheqës i sektorit të ndërtimit dhe banimit në këtë drejtori), në dy raste të ndara,  duke  vepruar në bashkëkryerje dhe duke tejkaluar kompetencat zyrtare, lëshojnë leje ndërtimore për subjekte ekonomike të caktuara dhe atë në kundërshtim me ligjin për ndërtim dhe planin rregullues urban.

Gjithashtu, i pandehuri L.M, (në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes se Mjedisit), në tejkalim të kompetencave të tij zyrtare dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin për hekurudhat, nxjerr vendime  me të cilat i mundëson subjektit ekonomik të caktuar ndërtimin e objektit në afërsi të vijës hekurudhore, duke mos respektuar distancën e paraparë  me ligjin në fjalë.

Kurse, i pandehuri N.G., (inspektor i ndërtimi), duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, si dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërtim, ligjin për inspektorat dhe udhëzimin administrativ për mbikëqyrje inspektuese i mundëson subjekteve të caktuara ekonomike   në tri raste të ndara,  ndërtimin e objekteve në kundërshtim me lejet dhe kushtet ndërtimore.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë. ​

Të ngjashme