Aktakuzë ndaj një personi për ndërtim pa leje në Batllavë

Prishtinë | 06 Tet 2022 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, Y.R., për “Ndërtim pa leje” dhe “Heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose shenjave” në afërsi të liqenit të Batllavës.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se i dyshuari “gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021, në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës, pa sigurimin e lejes ndërtimore nga organi kompetent dhe në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit për Ndërtimin, ka ndërtuar katër vila për banim, në pronën e tij, në atë mënyrë që përkundër njoftimit dhe procesverbaleve të datës 29.06.2021, Vendimit për ndërprerjen e punimeve Nr.316/21 të dt. 05.07.2021, si dhe gjobës së shqiptuar nga inspektorët e Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës, i njëjti ka vazhduar dhe finalizuar ndërtimet e vilave duke mos respektuar vendimet dhe procedurat e zhvilluara nga institucioni kompetent për ndalimin e ndërtimit të objekteve të lartcekura, çka me këtë e ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”, nga neni 359 par. 3 lidhur me par 2 të KPRK-së.”.

“Po ashtu, më 05.07.2021, në vendin e lartcekur, i pandehuri nuk i ka përfillur vendimet e inspektorëve të Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit të Komunës së Podujevës, në atë mënyrë që i njëjti i ka hequr shiritat e vendosur nga organi i lartcekur për ndalimin e punimeve, ku me këtë e ka kryer veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, nga neni 406 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme