Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, gjatë ditës së djeshme, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndaj të pandehurit SH.Z, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’ nga neni 273 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), i cili gjendet në masën e paraburgimit që nga data 24 nëntor 2018.
Sipas aktakuzës, i pandehuri SH.Z, më 24 nëntor 2018, në Gjilan, pa autorizim, me qëllim të shitjes, blen ose posedon substanca narkotike, në atë mënyrë që derisa zyrtarët policor kanë qenë në detyrë, kanë vërejtur se në oborrin e shtëpisë së të pandehurit gjendet një veturë me tabela të regjistrimit VR, nga e cila me shpejtësi ka dalë dhe është futur një person, i cili ka ikur përkundër përpjekjeve të policisë që t’a ndalin, me ç’rast pas bastisjes së shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse, në podrumin e shtëpisë së të pandehurit, kanë gjetur një çantë me narkotikë, në të cilën kishte 5 (pesë) paketime, me peshë 5.155 (pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë e pesë) gram, e llojit ‘’Heroinë’’, e cila ka qenë e destinuar për shitje apo shpërndarje.
Ndaj të dyshuarit M.A, i cili gjendet në arrati, prokuroria ka veçuar procedurën dhe ndaj tij, në gjykatë ka paraqitur kërkesën për lëshimin e letërreshtimit.
Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit, pasi që ende qëndrojnë kushtet për të cilat është caktuar kjo masë, siç janë: ndikimi tek bashkëkryerësi i cili gjendet në arrati, pesha dhe rrezikshmëria e veprës penale, si dhe i njëjti të dënohet për veprën penale e cila i vihet në barrë.