Prokuroria Themelore në Prizren, Departamentit për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve GJ.K dhe K.Z. që të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenet 281 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 dhe neni 31 të KP-së.
Sipas aktakuzës, të pandehurit GJ.K dhe K.Z. me datën 22.10.2016, pa autorizim kanë ndërmjetësuar transportin e dërgesës të substancës psikotropike të llojit marihuanë, me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje, në atë mënyrë që A.M, Gj.K. dhe K.Z. janë nisur në drejtim të kufirit Kosovë-Shqipëri për të sjellë dërgesën në Kosovë prej 39 kilogramëve dhe 0.35 gramëve substance psikotropike e llojit marihuan.
Të akuzuarit Gj.K dhe K.Z. duke komunikuar dhe koordinuar me të akuzuarin A.M. kanë futur dërgesën e marihuanës nga Shqipëria në Kosovë. Por, pas intervenimit të Policisë së Kosovës, të akuzuarve i janë gjetur 60 paketime të mbështjella me substancë psikotropike të llojit marihuanë dhe një qese me ngjyrë të zezë, po ashtu të mbushur me substancë psikotropike të llojit marihuanë, me peshë totale prej 39 kilogramëve dhe 0.35 gramëve. Ndërsa, ndaj të akuzuarit A.M. Prokuroria ka ngritur më herët aktakuzë për veprën e njëjtë.
Me këto veprime, në bashkëkryerje të akuzuarit kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenet 281 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 dhe neni 31 të KP-së.