Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Prishtinë | 22 Gus 2019 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër I.B., ish – Drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 dhe 2.2 tëKodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari I.B., prej datës 13.05.2018 e deri me datën 22.05.2018në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, bënë shpërndarjen e pasurisë jo financiare (Llaptop dhe çanta të llaptopëve) për asambleistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh dhe në vërtetimin mbi pranimin e llaptopëve të nënshkruar nga asambleistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore, ndërsa për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri I.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë. 

Të ngjashme