Aktivistet e shoqërisë civile po kërkojnë që kryesimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit t’i besohet një gruaje.
Sipas tyre, me një zgjedhje të tillë, do të fuqizohej roli i gruas në vendimmarrjen e pushtetit lokal. Ndërsa përfaqësuesja e grupit joformal të grave në KK-në e Prizrenit ka theksuar se në parim e mbështet këtë nismë, porse për realizimin e saj nevojitet mbështetja e të gjithë këshilltarëve në organin më të lartë vendimmarrës të Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Aktivistja e shoqërisë civile, Elmedina Dorambari, ka disa javë që publikisht bën thirrje që këshilltaret e KK-së të votojnë për një kryesuese.
“Mendësia patriarkale e ngulitur tek kjo elitë përfaqësuese nuk rezonon ndryshe, pos përcjelljes së mesazheve në brezat e ardhshëm që politika mbetet hapësira e dedikuar vetëm për burra. Mirëpo, gratë munden, prandaj është rasti që ato në KK-në e Prizrenit ta kenë një pozitë drejtuese, në këtë rast një kryesuese të Kuvendit”, ka thënë Dorambari.
Ajo ka theksuar se Prizreni nuk meriton që në dekadën e dytë të mileniumit të dytë të mos e ketë një grua në këtë pozitë. Dorambari ka shtuar se situata e krijuar në KK-në e Prizrenit u ka dhënë rastin grave që përfaqësohen në KK që të jenë pjesë e solidarizimit dhe shtyrjes përpara të propozimit për kryesuese të KK-së.