Aktivistë të Vetëvendosjes, në përfundim të marshit protestues në njëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, kanë gjuajtur me shishe me ngjyrë të kuqe objektin e Qeverisë së Kosovës.
Me këtë rast janë thyer dhe disa xhama, raporton Ekonomia Online.
Më herët, aktivistë të Vetëvendosjes janë afruar te hyrja e ndërtesë së Qeverisë dhe kanë vendosur një mbishkrim ku i jepet “ultimatum” Qeverisë dhe institucioneve të tjera që deri më 5 shkurt 2018 të zbardhet vdekja e Astrit Deharit.
VV, po ashtu, kërkon shkarkimin e zyrtarëve “përgjegjës” për vdekjen e Deharit, i cili po mbahej në qendrën e paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin terrorist ndaj ndërtesës së Kuvendit.
Mes kërkesave është shkarkimi i ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha; drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni; komandantit të Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi; dhe Fatos Makollit, drejtorit të Njësisë Kundër-Terrorizëm të PK-së.
Ky aksion i Vetëvendosjes ka ardhur si revoltë ndaj moszbardhjes së rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit.
Sot gjatë ditës aktivistët e Vetëvendosjes, familjarët dhe disa deputetë të këtij subjekti politik kanë bërë homazhe tek varri i Deharit dhe më pas nga Biblioteka Kombëtare kanë marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë.
Aty ka mbajtur fjalim deputeti Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar se pesë shkurti është afati i fundit për institucionet e Kosovës që ta shpjegojnë vdekjen e aktivistit të tyre.