Aktivistët e VV-së edhe dy muaj në arrest shtëpiak

Prishtinë | 24 Shk 2017 | 16:40 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje njofton se Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që ta vazhdojë edhe për dy muaj masën e arrestit shtëpiak për katër aktivistët e tyre: Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi.

VV e konsideron këtë vendim si politik. “Ky vendim është marrë pavarësisht se masa e arrestit është respektuar në përpikëri prej aktivistëve. Që prej gjysmë viti të katër aktivistët po mbahen në arrest pa asnjë provë e asnjë fakt”.

“Tashmë, ky pushtet ka kaluar çdo nivel të absurdit të procesit politik”.

“Gjyqtari Beqir Kalludra duhet ta dijë se po merr vendime të porositura politike dhe të gabuara juridikisht. Duke i dënuar aktivistët tonë, ai po e sulmon drejtësinë. Beqir Kalludra në njërën anë me vendime të padrejta dhe Abdurrahim Islami në anën tjetër me insistimin me montimet e dobëta ndaj drejtësisë, na sigurojnë se ky vend e ka një sistem të kapur të drejtësisë. Kjo tregon që qytetarët janë të pasigurt në këtë vend, por më shumë se kaq, kjo tregon se kjo gjendje në të cilën drejtësia është në duar të të padrejtëve nuk do të lejohet gjatë. Ky vendim i pajustifikueshëm është i patolerueshëm”, vazhdon komunikata e Vetëvendosjes.

“Adea, Frashëri, Egzoni, Atdheu nuk kanë bërë asnjë faj. Ata duhet të lirohen dhe t’u kthehen studimeve e angazhimeve për një shtet të së drejtës e me mirëqenie. Ky është edhe motivi pse ata janë arrestuar. Pa lirinë e tyre të plotë dhe të mënjehershme nuk mund të ketë as qetësi”.

Të ngjashme