Aktivistët e VV-së ngrisin padi për hidrocentralet në Deçan

Prishtinë | 04 Dhj 2020 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan, Faton Selmanaj, i shoqëruar nga avokati e aktivisti Getoar Mjeku dhe deputetët Fitore Pacolli e Salih Zyba, dorëzoi në gjykatë padi kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë — dy institucionet përgjegjëse për hidrocentralet që po shkatërrojnë Lumbardhin e Deçanit.

Selmanaj po i kërkon Gjykatës Themelore të Prishtinës të pezullojë prodhimin e energjisë që po e shtjerrë lumin, po lë banorët e Deçanit pa ujë për pije dhe ujitje dhe po kanos pasoja të pariparueshme për mjedisin.

Për të mundësuar operimin e hidrocentraleve, Ministria dhe ZRRE kanë dhënë leje dhe licensa në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet për ujërat, mjedisin dhe procedurën administrative. Me kërkesën e aktivistëve, Gjykata pritet të vendosë brenda tri ditëve nëse do të shtyjë ekzekutimin e akteve të ministrisë dhe ZRRE-së deri në vendimin përfundimtar për anulimin e tyre.

Vitin e kaluar, aktivistët e Lëvizjes patën paditur me sukses ZRRE-në lidhur me vendimin për të subvencionuar oligarkët me para të konsumatorëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme