Aktivisti i Vetëvendosjes drejtor i televizionit publik, reagon Kica-Xhelili: U rikap RTK-ja

Prishtinë | 31 Jan 2023 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, reagoi për zgjedhjen e drejtorit të ri të RTK-së duke thënë se televizioni publik u rikap sërish nga pushteti.

Ky reagim vjen pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës drejtor i RTK-së, i cili njëherit është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Derisa tha se është marrë shumë me procesin e përzgjedhjes së bordit herëve të shkuara, pas vendimit të sotëm, sipas Kica-Xhelilit misioni për ta eliminuar nepotizmin e politikën nëpër institucione publike dështoi.

“Fatkeqësisht, sot Bordi i RTK-së zyrtarisht dështoi në këtë mision, duke e përzgjedhur si drejtor të televizionit donatorin e partisë në pushtet. Reagime për këtë përzgjedhje ka pasur edhe nga akterë ndërkombëtarë (Federata Evropiane e Gazetarëve)”, shkroi deputetja në Facebook.

“Më vjen shumë keq, që në atë pak fije shprese që kemi pasur në pak institucione që nuk po gjymtohen nga nepotizmi dhe politizimi, tani u ripërfshi edhe RTK-ja”, tha tutje ajo.

Aktivisti i VV-së, Rilind Gërvalla, është votuar nga Bordi për të qenë në krye të transmetuesit publik.

Ai është zgjedhur në krye të televizionit të RTK-së pa asnjë votë kundër.

“Bordi i RTK-së me tetë vota për dhe asnjë kundër, ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e z. Rilind Gervalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3, 4)”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.

Të ngjashme