Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë sot ka organizuar një tryezë diskutimi me temë “Roli i Shërbimit të Provës në rehabilitimin e të dënuarve të mitur”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pjesë e këtij aktiviteti përveç ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, ishin edhe drejtues të Shërbimit të Provës të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që kujdesen për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ministri Vasili gjatë fjalës së tij u shpreh se ri-integrimi i të miturve të dënuar është një sfidë.
“Jemi në një aktivitet që për qasjen e tij dhe atë që synon të promovojë, besoj se është një nga aktivitetet unikale të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo sepse në radhë të parë, ushtrimi i drejtësisë në një vend dhe veprimi i ligjit tregojnë efektivitetin e tyre më të lartë, kur ne arrijmë të masim efektet përmirësuese dhe edukuese, integruese që ky legjislacion prodhon.
Për të miturit mobilizimi shoqëror duhet të jete absolutisht në nivelin e tij më të lartë, pasi ri-integrimi i të miturve është një sfidë. Në vetvete ka një ndjeshmëri shoqërore, po më tej ka një ndjeshmëri të lartë psikologjike, pasi është e qartë që një dëm i shkaktuar në mënyrë të pa riparueshme në një moshë shumë të re, është një dëm për shoqërinë për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh Vasili.
Ndërsa duke thënë se kanë patur dhe kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Shërbimin e Provës, Vasili në vijim ka theksuar se në mënyrë të veçantë bashkëpunimi i mirë në këtë drejtim ka qenë edhe me organizatat ndërkombëtare.