I akuzuari për armëmbajtje pa leje përfiton nga Ligji i Amnistisë

Prishtinë | 29 Qer 2017 | 17:34 | Nga

Prokurori Ilaz Beqiri është tërhequr nga ndjekja penale e Sylejman Sylejmanit për armëmbajtje pa leje.
Sot ishte planifikuar të zhvillohej seanca fillestare e gjykimit ku Sylejman Sylejmani akuzohej për armëmbajtje pa leje.

Por para leximit të aktakuzës prokurori Ilaz Beqiri deklaroi se heq dorë nga ndjekja penale e Sylejman Sylejmanit, ngase sipas tij mbajtja nën kontroll, pronësi, ose posedim të paautorizuar të armëve është amnistuar në vitin 2013.

“Në veprimet e tij manifestohen elementet e veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, por me qenë se edhe kryerësit e kësaj vepre penale janë amnistuar me ligjin për amnistinë të vitit 2013, tërhiqem nga ndjekja penale me propozimin që gjykata të konfiskojë armën e cila është poseduar dhe përdorur në rastin konkret”, deklaroi prokurori Ilaz Beqiri.

Pastaj kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini e shpalli të përfunduar këtë çështje gjyqësore duke shtuar se arma e cila ishte përdor nga Sylejmani do të konfiskohet.

Sylejman Sylejmani akuzohej se që nga viti 1999 e deri në korrik të vitit 2011 në shtëpinë e tij në Fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës ka mbajtur në pronësi një pushkë automatike pa leje për mbajtjen e autorizuar të saj.

Sipas aktakuzës, Sylejmani në një aheng familjar kishte shtënë me këtë armë, ndërsa më pas atë bashkë me karikatorin ua kishte dorëzuar vullnetarisht policëve që dolën në vend të ngjarjes pas të shtënave.

Të ngjashme