Ministria e Arsimit e ka caktuar si trajner të mësimdhënësve të Gjakovës një person që dyshohet të ketë diplomë të falsifikuar, e ndaj të cilit ishte ngritur edhe aktakuzë nga Prokuroria.
Emri i këtij personi i njohur për AktivPress, figuron në listën e personave të cilët ishin hetuar edhe nga Inspektorati i Arsimit në Gjakovë.
Në lëndën të cilën e disponon gazeta thuhet shprehimisht se inspektorët kanë konstatuar se vërtetimi i semestrave të personit të dyshuar nuk përputhet me vitin e regjistrimit.
Inspektorët me këtë rast kanë kërkuar nga Fakulteti i Edukimit që t’ia verifikojnë 16 notat që i kishte në fletëparaqitje të vërtetuara dhe të nënshkruara, me notat që i kishte në indeks e që ishin vetëm 15 sosh.
Trajnerit të mësimdhënësve i ishte gjetur indeks dublikat, pa pasur dëshmi për regjistrim paraprak në ish Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë.
Ministria e Arsimit nuk ka dhënë përgjigje për AktivPress, se si ka ndodhur që një person i tillë të angazhohet në trajnim të mësimdhënësve.
Skandali me diploma false ka shpërthyer vite më parë.
Bëhet fjalë për 84 arsimtar të Malishevës që dyshohet të jenë pajisur me diploma të tilla.
Ndaj tyre ishte ngritur kallëzim penal. Shkalla e parë e Gjykatës në Gjakovë i kishte dënuar me nga 800 euro, mirëpo pas ankesës së tyre në shkallën e dytë, procesi i zvarritur edhe lënda ishte parashkruar.
Më pas, të njëjtëve u është mundësuar të ndjekin vitin e tretë në Fakultetin e Edukimit për t’u pajisur me diploma bachelor dhe në këtë mënyrë ta mbulojnë pjesën e shkollimit të falsifikuar me diploma të ligjshme universitare.
Sot e kësaj dite ata vazhdojnë të japin mësim nëpër shkollat e Malishevës.