I akuzuari Raif Rexhepi, i ka kërcënuar gazetarët dhe monitoruesit që raportojnë nga seancat gjyqësore, ku ai së bashku me Valon Llukën, po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.Kërcënimin e tij, ai e ka lidhur me raportimin e “Betimit për Drejtësi”, nga seanca e monitoruar me 26 janar 2017, ku është raportuar lidhur me shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj të akuzuarve për korrupsion, Raif Rexhepi dhe Valon Lluka.
“Me shkelëm për beton”, ishte kërcënimi i bërë nga i pandehuri Rexhepi, i cili tha se do t’i përgjigjet çdo gazetari që shkruan, sipas tij, gjëra të pavërteta. Ky kërcënim është bërë para fillimit të seancës gjyqësore të mbajtur me 5 korrik 2017.Me tone të ngjashme kërcënuese, i akuzuari iu drejtua edhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, avokates Shpresa Berisha-Rexhepi
. “Ti e din mirë për çfarë rrenash bëhet fjalë”, tha ai.Edhe pse ky kërcenim kishte ndodhur ende pa filluar seanca, avokatja Berisha-Rexhepi kërkoi nga gjyqtari i çështjes, Shashivar Hoti që të shkruhet çdo gjë në procesverbal.
“Para se të fillojë seanca, unë u kërcënova drejtpërdrejtë nga i akuzuari Raif Rexhepi, këtu edhe e shfaqi shqetësimin tim serioz lidhur me këtë gjendje. Kjo duhet të jetë e papranueshme, është e pandershme dhe nuk mund të pranohet një sjellje e tillë, qoftë ndaj avokates, qoftë ndaj gazetarëve apo të pranishmëve të tjerë. Unë nuk kam persona të tjerë që më ruajnë fizikisht dhe dua ta shprehë shqetësimin tim, pasi po ndihem e kërcënuar”, tha avokatja Berisha-Rexhepi.
Ndërkaq, edhe kjo seancë u shty në mungesë të prokurorit Feti Tunuzliu, i cili ndodhet në pushim vjetor dhe e njëjta pritet të mbahet më 6 shtator, në ora 10:00.E i pranishëm nuk ishte as i pandehuri Valon Lluka, për të cilin avokati i tij, Isa Salihu tha se të njëjtin e ka njoftuar me kohë se nuk ka kushte të mbahet seanca.Sipas Prokurorisë, i akuzuari Lluka, në vitin 2011, ka marr pjesë në takimin negociues mes të akuzuarit tjetër, Raif Rexhepi dhe të dëmtuarit Savio Tesoros, shtetas Italian, për regjistrimin e aksioneve të blera nga TEXO S.R.L, e përfaqësuar nga Savio Tesoro.
Prokuroria, pretendon se i akuzuari Lluka, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit pasuror, Savio Tesoros, ka shpërdorur pozitën zyrtare.Po ashtu, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2011, i akuzuari Valon Lluka, ka lejuar realizimin e shitjes së 6.41% të aksioneve të Bankës Ekonomike, e cila ishte bërë përmes kontratës së dyfishtë mes të akuzuarit, Rexhepi dhe blerësit, Afrim Pacolli.
Gjithashtu, prokuroria akuzon Llukën se gjatë vitit 2010, nuk ka nxjerr vendim për anulim të vërtetimit të rremë, me ç’ rast ka dëmtuar materialisht shtetasin italian, Savio Tesoron.
Ndërkaq, prokuroria pretendon se i akuzuari Rexhepi nga 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, dhe duke i shkaktuar dëm pasuror Savio Tesoros ka bërë gjoja blerjen e 20% të aksioneve të Bankës Ekonomike, vlera e të cilave arrinte shumën prej 2.400.000 eurove, por nuk i kishte bartur në emër të Tesoros. Ndërkohë, gjatë vitit 2010-2011, këto aksione i kishte shitur te disa aksionarë tjerë, ndërsa paratë e tyre i kishte mbajtur për vete. (BetimiPërDrejtësi)