Blinken: Moska po e drejton narrativën e rreme se NATO-ja po e kërcënon Rusinë

Prishtinë | 08 Jan 2022 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka thënë se Moska është duke shtyrë një narrativë të rreme se NATO-ja po e kërcënon Rusinë.

“Këto pretendime janë të gjitha të rreme. NATO-ja është aleancë mbrojtëse. Ajo ekziston për të mbrojtur, jo për të sulmuar”, tha sekretari Blinken.

Deklaratën e tij e shpërndau në rrjete sociale edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Faqja e ambasadës e shpërndau postimin e Departamentit të Shtetit, në të cilin sekretari Blinken flet rreth krizës në Ukrainë dhe kërkesat e Rusisë ndaj NATO-s.

“Veprimet e Moskës rrezikojnë që të vendosin një precedent të ri në tokën evropiane, me anë të të cilit parimet themelore ndërkombëtare, jetike për paqen dhe sigurinë, bëhen të gatshme për t’u vënë në debat: që kufijtë dhe integriteti territorial i një shteti nuk mund të ndryshohen me forcë”, tha mes tjerash kryediplomati amerikan.

“Rusia tash po kërkon që Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja të nënshkruajnë traktate për tërheqjen e forcave të NATO-s, që janë të vendosura në territorin e aleatëve në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe t’i ndalohet Ukrainës që të anëtarësohet ndonjëherë në NATO. Ata duan të na tërheqin në një debat rreth NATO-s e jo të përqendrohemi te çëshja kryesore, që është agresioni i tyre ndaj Ukrainës”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme