Al Saddi zemërohet me Barcelonën, shkaku i Xavit

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 19:17 | Nga Ekonomia Online

Barcelona e ka zemëruar klubin e Katarit, Al Sadd, me mënyrën se si është sjellë në lidhje me trajnerin e tij, Xavi Hernandez.

Duket se emërimi i Xavit në postin e trajnerit të Barcelonës do të marrë më shumë kohë seç pritej, pavarësisht se Joan Laporta iu përvesh punës menjëherë pasi e shkarkoi trajnerin e deritanishëm Ronald Koeman, raporton Gazeta Express.

Xavi dhe Barça duan që marrëveshja mes tyre të mbyllet sa më parë, por Al Saddi po ngurron ta lëshojë Xavin të kthehet te gjiganti katalonas.

Sipas mediave spanjolle, Al Sadd është zemëruar me Barcelonën që po e cilëson si marrëveshje të kryer kthimin e Xavit në Camp Nou, derisa askush nuk e ka kontaktuar atë drejtpërdrejt.

Të paktën tani për tani Barcelona s’e ka kontaktuar Al Saddin për Xavin.

Xavi i ka edhe dy vjet kontratë me Al Sadd dhe Barcelona duhet të bisedojë me të për ta emëruar trajner legjendën e klubit.

Në një reagim në Twitter, Al Sadd shkroi: “Në lidhje me lajmet që po qarkullojnë së fundmi, menaxhmenti i Al Saddit rithekson se Xavi i ka edhe dy vjet marrëveshje me klubin dhe është plotësisht i përqendruar në ndeshjen e ardhshme të skuadrës, për ta mbajtur vendin e parë në ligë dhe për ta mbrojtur titullin”.

Barcelona beson në marrëveshjen me Xavin dhe nuk dëshiron të ngutet.

Të ngjashme