Zvogëlimi i depozitave globale të rërës po nxit bandat e tregut të zi për të vjedhur sasi të mëdha nga lumenjtë dhe plazhet. Shkencëtarët paralajmërojnë se rezervat e rërës në nivel global po na ikin nga duart.
Statistikat thonë se në mbarë botën përdoren 50 miliardë tonë rërë çdo vit – dyfishi i sasisë së prodhuar nga çdo lumë në botë gjatë së njëjtës kohë.
Sipas shkrimtarit dhe gazetarit Vince Beiser, i cili ka shkruar një libër mbi këtë temë, “rëra është përbërësi thelbësor që e bën jetën moderne të mundshme. Dhe tani po përballemi me rënien e sasisë së saj”.
Si shkak kryesor për këtë rënie shihet sektori i ndërtimit, i cili nxitet nga lëvizja e njerëzve drejt qyteteve.
“Çdo vit, popullsia e planetit shtohet dhe çdo vit gjithnjë e më shumë njerëz zhvendosen në qytete. Që nga viti 1950, popullsia urbane e botës është ngritur nga 746 milionë në 3.9 miliardë”, thotë Beiser.
Kërkesa për ndërtim dhe si rrjedhim edhe ajo për inerte parashikohet të rritet akoma më tej.
Më shumë se 90% të plazheve të botës janë tkurrur me 40 metra që nga viti 2008. Deri në 70% e plazheve të Kalifornisë Jugore mund të zhduken deri në vitin 2100.
Kina ka përdorur më shumë rërë gjatë viteve të fundit sesa SHBA-të gjatë gjithë shekullit të XX. Në Indi, rëra është kthyer në një mall për të cilin është futur në lojë krimi i ogranizuar, i cili në mënyrë të paligjshme e nxjerr dhe e shet në tregun e zi. “Mafia e rërës”, organizata më e fortë kriminale në Indi, ka punësuar 75 mijë njerëz për të nxjerrë rërë nga lumenjtë. Ata punojnë 12 orë në ditë, zhyten në fund të lumenjve deri në 200 herë dhe paguhen vetëm 15 dollarë për një anije të ngarkuar.
Nëpërmjet Programit të Mjedisit, OKB-ja ka sugjeruar rritjen e tatimeve për nxjerrësit e rërës. Po ashtu, OKB-ja ka theksuar nevojën immediate për një rregullore që të zbatohet në të gjitha vendet dhe në ujërat ndërkombëtare.
“Do të jemi 9 miliardë njerëz në këtë planet brenda 20 vjetësh. Shumica e tyre duan t’i konsumojnë burimet natyrore në të njëjtën mënyrë siç bën Perëndimi, por kjo është fizikisht e pamundur”, thotë Beiser.