Sot janë shënuar 32 vjet nga ndarja nga jeta e Heroit të Kosovës, Ahmet Haxhiu. Në këtë përvjetor, U.d presidentja Haxhiu, mbesa e heroit e ka përkujtuar me një mesazh, duke vlerësuar jetën, veprën dhe kontributin e tij në lëvizjen kombëtare për lirinë e Kosovës.
Ajo ka kujtuar se ishte vetëm shtatë vjeçe kur Ahmet Haxhiu u nda nga jeta, duke theksuar se, megjithëse kujtimet e saj personale janë të pakta, prania dhe trashëgimia e tij kanë mbetur gjithmonë pjesë e familjes.
Në mesazhin e saj, ajo vlerëson se Ahmet Haxhiu i përkiste brezit të veprimtarëve që vepruan në rrethana të vështira, kur angazhimi për çështjen kombëtare kërkonte guxim, përkushtim dhe sakrificë. Sipas saj, shtëpia e tij u shndërrua në vatër organizimi, ndërsa jeta iu kushtua lëvizjes kombëtare, qëndresës dhe përgatitjes së rrugës drejt çlirimit të Kosovës.
Ajo rikujton se Ahmet Haxhiu nuk arriti ta përjetonte Kosovën e lirë, pasi u nda nga jeta më 6 korrik 1994, si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga burgosjet dhe torturat gjatë regjimit serb. Megjithatë, thekson se kontributi i tij dhe i shumë veprimtarëve të brezit të tij mbeti pjesë e themeleve mbi të cilat u ndërtua liria e vendit.
Në fund të mesazhit, ajo e cilëson trashëgiminë e Heroit të Kosovës si frymëzim dhe udhërrëfyes për brezat e rinj, duke nënvizuar se liria ndërtohet falë njerëzve që besojnë në të edhe në kohët më të vështira.
“Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kosovës, Ahmet Haxhiut!”, përfundon mesazhi përkujtimor.