Aleanca bën homazhe për Flora Brovinën

Prishtinë | 18 Sht 2026 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Aleanca ka bërë homazhe në Kuvendin e Kosovës për të nderuar jetën dhe veprën e ish-deputetes dhe veprimtares, Flora Brovina, raporton Ekonomia Online.

Flora Brovina ka vdekur më 15 shtator, në moshën 76-vjeçare.

Brovina ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Ajo u lind në vitin 1949 në Skenderaj dhe u rrit në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor, ndërsa më pas studioi mjekësinë.

Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, Brovina u kthye në Kosovë. Për një periudhë punoi si gazetare në gazetën “Rilindja”, ndërsa më vonë iu rikthye profesionit të mjekes.

Për shumë vite, ajo punoi në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Krahas profesionit të saj, Brovina u angazhua edhe në letërsi dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave.

Në skenën politike, ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për gjashtë mandate, nga viti 2001 deri më 2019.

Të ngjashme