Aliu: Agjencia Kadastrale ka bërë progres, shërbimet e ofruara përputhen me direktivat e BE-së

Prishtinë | 20 Nën 2024 | 12:40 | Nga Gzim Mujaj

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka mbajtur të mërkurën konferencën “Inovacionet drejt digjitalizimit të shërbimit kadastral”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aktivitet u përmenden të arriturat e AKK-së në avancimin e shërbimeve kadastrale dhe digjitalizimin e tyre, drejt eliminimit të burokracisë dhe korrupsionit, duke u ofruar qytetarëve qasje të lehtë në këto shërbime.

Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, ka thënë se si qeveri në bashkëpunim me AKK-në kanë punuar intensivisht për të transformuar e digjitalizuar shërbimet publike në fusha të rëndësishme, siç janë shërbimet e gjeodezisë, shërbimet për arkitekt, inxhinier dhe shërbimet që lidhen me direktivat e BE-së.

Ai ka përmendur arritjet kryesore gjatë kësaj periudhe në këtë drejtim.

“Është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve kadastrale dhe digjitalizimit. Kemi punuar intensivisht për të transformuar e digjitalizuar shërbimet publike në fusha të rëndësishme, siç janë shërbimet gjeodezisë, shërbimet për arkitekt dhe inxhinore dhe shërbimet që lidhen me direktivat e BE-së. Këto procese ndihmojnë në përmirësim e efikasitet dhe uljen e informalitetit në shërbimet publike. Në bashkëpunim më AKK jemi angazhuar për digjitalizimin për shërbime transparente dhe efikase. Para jush po i theksoj disa nga arritjet kryesore gjatë kësaj periudhe. Është Ligji për infrastrukturën Kombëtare dhe Informacionit Hapësinor i cili është miratuar në vitin 2022 dhe ka vendosur bazën për një administrim modern të tokës në përputhje me standarde e BE-së. Pastaj është ligji për kadastër dhe pronë të paluajtshme, i cili krijon kushtet që të zgjidhen problemet e qytetareve për më shumë se 20 vite. Shërbimet pronësore dhe kadastrale janë të qasshme online përmes platformës e-Kosova. Jemi në proces të ndërlidhjes së qytetarëve me adresat e tyre, e projektet ku është duke u realizuar”, tha Aliu.

Ai ka thënë se strategjia për infrastrukturën kombëtare të informacionit hapësinor 2024-2028 është miratuar këtë muaj nga qeveria duke siguruar përputhshmëri me direktivat e BE, si dhe perspektiven për digjitalizim.

“AKK ka bërë hapa të mëdhenj për të ofruar shërbime cilësor të shpejta dhe transparente”, ka thënë Aliu.

Drejtori i AKK-së, Avni Ahmeti, ka thënë se modernizimi dhe digjitalizimi i shërbimeve kadastrale nuk është vetëm një domosdoshmëri, por një përgjegjësi ndaj qytetarëve, për të cilën tha se janë angazhuar maksimalisht për transformimin e mënyrës se si ofrohen shërbimet kadastrale, duke i bërë ato më transparent, efikase dhe më të qasshme për të gjithë.

“Modernizmi dhe digjitalizimi i shërbimeve tona kadastrale nuk është vetëm një domosdoshmëri, por një përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë, e për këtë jemi angazhuar maksimalisht për transformimin e mënyrës se si ofrohen shërbimet kadastrale, duke i bërë ato më transparente, efikase dhe më të qasshme për të gjithë. Me një strategji të detajuar duke vendosur standarde të reja të punës, duke lënë shenja të pa shlyera në trashëgimin e saj me një vizion të dobishëm në dobi të qytetareve, sot AKK numëron shumë suksese dhe ka rritje të vazhdueshme në realizmin e projekteve, punëve e detyrave të parapara me reforma të mirëfillta e përmbajtjesore në trend me kohën. Me lejoni që para jush të përmend disa nga ato të arritura, aplikimin online e-Kosova, platforma elektronikë për shërbime digjitale për certifikata të pronësisë, kopjet e planit dhe për koordinata e njësive, është një hap i vogël, por shumë i rëndësishëm drejt qëllimit tonë. Kemi eliminuar burokracinë, kemi reduktuar dokumentacion e tepërt, kemi rritur efikasitetin dhe mbi të gjitha kemi ofruar mbrojtjen e konfidencialitetit në të dhënat personale. Është edhe lansimi i platformës për regjistrimin e adresës zyrtare të vendbanimit përmes e-Kosovës. Kjo nismë i mundëson qytetarëve që të regjistrojnë adresën e tyre online. Me miratimin e ri të Ligjit për kadastër kemi krijuar bazën ligjore për avancimin e sistemeve që do të prezantohen sot. Me këto ndryshime kemi hapur rrugën edhe për hapjen e të dhënave”, ka thënë ai.

Noel Bauer, drejtor i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, ka thënë se në Kosovë janë duke përkrah AKK për të ndihmuar reformën, të shtoj transparencën dhe qasjen në sistemin kadastral.

Ai tha se këto projekte janë kritike edhe për uljen e korrupsion dhe shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik.

“USAID nëpërmjet programit tonë qeveritar është i përkushtuar për t’i modernizuar të drejtat pronësore në Kosovë dhe prandaj e kemi përkrah AKK për të ndihmuar reformën, të shtoj transparencën dhe qasjen në sistemin kadastral. Një prej shtyllave kryesore të bashkëpunimit tonë ka qenë digjitalizimi i shërbimeve dhe i dosjeve të hapura kadastrale. Këto e ulin punën administrative dhe përditësojnë të dhënat që i kemi në shërbime. Janë kritike edhe për uljen e korrupsionin dhe shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik dhe kjo e lejon mandej kapitalin që të shkojnë drejt mundësive të reja që të krijohen vlera për sipërmarrësit dhe qytetar dhe të krijohen vende pune për qytetaret e Kosovës”, ka thënë ai.

Tomaž Petek, president i EuroGeographics, ka thënë se EuroGeographics përkrah mbi 60 anëtarët e saj duke ndarë përvojat më të mira që duke lehtësuar qasjen në të dhëna dhe shërbime dhe ekspertiza.

“Aktualisht EuroGeographics është një familje e më shumë se 60 anëtar prej 40 vende të ndryshme nëpër gjitha zonat e Evropës dhe do të donim që t’i përkrahim anëtaret tanë me aktivitete të ndryshme si ndarje e përvojave më të mira që përfaqëson edhe interesat e anëtarëve tanë duke lehtësuar qasjen në të dhëna dhe shërbime dhe ekspertiza, kjo është pjesa më e rëndësishme e aktiviteteve të EuroGeographics. Ne mundohemi që të ofrojmë qasje më të lehtë në të dhënat tona gjeohapësinore”, tha Petek.

Në kuadër të këtij aktiviteti, janë mbajtur edhe prezantime mbi inovacionet e fundit drejt digjitalizimit të shërbimeve kadastrale, që kanë bërë vendeve të rajonit, përfshirë këtu Turqinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosova si dhe Kroacinë.

Të ngjashme