Mungesa e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) po vazhdon t’u shkaktoj probleme komunave të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Duke qenë se nuk është funksional për më shumë se një vit, shumë lëndë presin në Bordin e OSHP-së për t’u vendosur për ata që janë ankuar por edhe ato që janë fitues nga agjencitë kontraktuese.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherit edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se kompanitë që tashmë janë kontraktuese për punë të ndryshme nga agjencitë të ndryshme buxhetore, janë me çmime të vjetra dhe kjo paraqet problem në vete në kuptimin e operimit të tyre.
Tutje ai ka shtuar se në këto rrethana ekzistojnë dy probleme, njëra për lidhje të kontratave me kompani të cilat janë konkurruese në zhvillim të procedurave të prokurimit me cilëndo nga agjencitë buxhetore dhe e dyta tek kontratat e lidhura.
“Janë dy arsye pse është një gjendje e tillë, kjo për faktin se kemi bordin e OSHP-së që është një kohë të gjatë pothuajse 14 muaj që nuk është funksional. Duke qenë se nuk është funksional janë shumë lëndë që presin në bordin e OShP-së për t’u vendosur dhe edhe po të vendoset në cilindo vendim do të jetë vendim jo i përshtatshëm për kompanitë, edhe për ato që janë ankuar por edhe ato që janë fitues nga agjencitë kontraktuese, në këtë rast nga komunat apo nga niveli qendror, për faktin se koha kur janë bërë apelime të tilla ka qenë kohë me çmime krejt të tjera, dhe sigurisht se kjo paraqet vështirësi në vete e po ashtu e dëmshme”.
“Faktori i dytë është se kompanitë që tashmë janë kontraktuese për punë të ndryshme nga agjencitë të ndryshme buxhetore, janë me çmime të vjetra dhe sigurisht që kjo paraqet sfidë në vete, problem në vete në kuptimin e operimit të tyre, prandaj janë këto dy probleme themelore, njëra për lidhje të kontratave me kompani të cilat janë konkurruese në zhvillim të procedurave të prokurimit me cilëndo nga agjencitë buxhetore dhe e dyta tek kontratat e lidhura”, ka thënë Aliu.
Aliu tregoi se si Asociacion i Komunave i kanë dërguar letër kryeministrit të vendit Albin Kurtit shkresë zyrtare lidhur me OSHP-në por edhe me kontratat.
“Ne si Asociacion i Komunave pas një takimi që kemi pasur edhe me Odën Ekonomike të Kosovës kemi adresuar disa nga këto çështje në formë të shkresës zyrtare, Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Albin Kurti që të kemi një vendimmarrje e cila do të ishte e duhura për të zhbllokuar situata të tilla që kanë të bëjnë edhe me OSHP-në por edhe me kontratat”
“Sa i përket kontratave konsiderojë që duhet të merret një vendim çoftë i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo edhe me vendim në formë të ligjit në Kuvendin e Kosovës i cili do të përcaktonte një përqindje të caktuar aq sa janë ngritur në bazë edhe të statistikave sepse enti i statistikave ka edhe statistika të sakta se deri ku kanë shkuar çmimet nga secili nga produktet dhe në bazë të kësaj më e lehta do të ishte që të gjendet një mesatare dhe në bazë të mesatares të vendosej një përqindje që do të ishte shtesë në kontratat ekzistuese. Nëse nuk ndodh kjo do të vazhdojë ajo që ne sot po e shohim në Kosovë ku ka stagnim të punëve dhe të projekteve gjithandej Kosovës në të gjitha komunat çofshin kontrata nga niveli lokal apo qendror kemi një lloj bllokimi të punëve të kompanive kontraktuese”
Tutje ka treguar se shumë projekte janë ndërprerë pasi që janë lidhur në periudhën kur çmimet kanë qenë më të ulëta, teksa me rritjen e çmimeve kjo ka bërë që këto kompani mos të mund të operojnë.
“Shumë nga projektet janë të ndërprera sepse janë lidhur në një kohë tjetër sepse në këtë mënyrë këto kompani nuk do të mund të operojnë sepse janë me çmime tepër të ultë karshi ndryshimeve që kanë ndodhur tani para dhjet muajve e më shumë. Ne po kërkojmë nga Qeveria që të ketë vendimmarrje në këtë çështje në mënyrë që mos të bëhet vonë sepse tashmë jemi në fund të muajit qershor dhe nëse nuk merret vendim për një kohë të shkurtër ne nuk mund të presim vendim në shtator sepse do të jetë tepër vonë dhe nuk mund të kryhen operime të caktuara të operatorëve ekonomik në projektet që kanë si kontrata dhe kjo do të detyrojë që shumë nga agjencitë buxhetore të bartin mjetet e tyre si një lloj suficiti, pra mund të teprojnë mjetet edhe pse janë pjesë e buxheteve për faktin se nuk mund të lidhin kontrata apo ato që janë nuk mund të zhvillohen”, ka thënë Aliu