Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, nëpërmes një deklarate për shtyp, ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.
Ambasada Amerikane thotë se deputetët e Kuvendit që votuan dje për të ratifikuar këtë marrëveshje, duhet të jenë krenarë që kanë bërë veprimin e duhur dhe të guximshëm për të mirën e shtetit të tyre.
“Urime popullit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi! Ratifikimi është një arritje e rëndësishme që e konfirmon vendin e Kosovës në Evropë”, thuhet në deklaratë.
“Çdo deputet i Kuvendit që votoi për të ratifikuar këtë marrëveshje, mund të jeni krenarë që e dini se keni bërë veprimin e duhur dhe të guximshëm për të mirën e shtetit tuaj”.
“Tani Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të kthejnë vëmendjen e tyre te çështjet tjera nga agjenda e prioriteteve që do ta shtyjnë Kosovën përpara drejtë sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, dhe aspiratave të saj euro-atlantike”, thekson deklarata.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara thotë se do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për arritjen e integrimit të plotë në familjen evropiane të kombeve.