Ambasada e SHBA-së shkruan për vizitën e Lajçak dhe Escobar në Kosovë

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka shkruar në Twitter për vizitën në Kosovë të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe të dëguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar.

“Mezi presim që së shpejti t’i mirëpresim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në Kosovë!”, thuhet në ‘cicërimën’ e ambasadës amerikane.

Lajçak dhe Escobar së pari do të shkojnë në Presidencë te shefja e shtetit, Vjosa Osmani. Takimi është paraparë të zhvillohet në orën 16:00.

Pas presidentes, të dy diplomatët do të takohen me kryeministrin Albin Kurti në orën 17:00.

Lajçak dje në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet mirëpo askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre, ka siguruar emisari evropian.

“Qëllimet e këtij takimi mund të them se janë tri. E para, për ta treguar mesazhin e unitetit, për të treguar se dialogu është i ndërmjetësuar nga BE’ja dhe i mbështetur nga ShBA’ja. E dyta, për të dëgjuar nga partnerët dhe për të diskutuar me ta se si të ecim përpara me procesin dhe, e treta, për të diskutuar disa çështje aktuale, ka thënë Lajçak, duke mos treguar se cilat tema do të diskutohen. Tha se “do t’ju informojë në fund, pas vizitës”.

Të ngjashme