Ministria e Shëndetësisë thotë se veprimtaritë e trupave dhe organizatave ndërkombëtare janë të lejuara të veprojnë në fazën e dytë të masave për lehtësimin e qarkullimit duke mbrojtur shëndetin e personelit. Por ambasadat e vendeve të huaja në Kosovë, ende nuk janë hapur me kapacitet të plotë për shërbime me pajisje të vizave ndaj qytetarëve. Ambasada Gjermane në Prishtinë ka deklaruar se rifillimi i punës varet nga masat për koronavirus në Gjermani dhe Kosovë.
Gazeta Express ka kontakuar ambasadat kryesore në vend në fund të muajit prill për t’i pyetur lidhur me rifillimin e punës, por ambasada e ShBA’së, Zvicrës e cila përfaqëson Francën, Austrinë dhe shtetet e Beneluksit dhe ajo e Gjermanisë janë shprehur se kjo do të dihet me fillimin e lehtësimit të masave pas 4 majit.
Faza e dytë e masave nga Ministria e Shëndetësisë, ka filluar nga 18 maji, por ambasadat e shteteve të huaja në Kosovë ende nuk kanë filluar me shërbimet e tyre.
Ambasada gjermane në Kosovë e cila njëherit është edhe ambasada me më së shumti kërkesa nga kosovarët që duan të pajisen me viza, akoma po punon me staf esencial dhe nuk është hapur për shërbimet e saj.
Në një përgjigje për Express. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë thotë se ende s’ka një datë të caktuar për rifillimin e punës me kapacitet të plotë.
“Meqë kjo varet nga masat ndërlidhura me virusin corona, që janë ndërmarrë në Kosovë, edhe në Gjermani, nuk ka ende një datë të caktuar. Të gjitha informatat relevante do të publikohen me kohë në uebfaqen e Ambasadës Gjermane si dhe përmes kanaleve të rrjeteve tona sociale”, thanë në përgjigjen e tyre ambasadës gjermane në Prishtinë të mërkurën.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë, thanë për Gazetën Express se trupat dhe organizatat janë të lejuara të veprojnë në këtë fazë, duke mos saktësuar se a kanë të drejtë të fillojnë punën edhe për shqyrtimin e kërkesave për viza.
“Veprimtaritë e trupave dhe organizatave ndërkombëtare janë të lejuara të veprojnë në këtë fazë. Të gjitha institucionet/organizatat publike dhe private udhëzohen sipas rekomandimeve të MSH’së dhe IKSHPK’së se si të organizojnë veprimtarinë dhe punën në atë mënyrë që edhe të zhvillojnë aktivitetin, por edhe ta mbrojnë shëndetin e personelit. Fokusi është bartja e maskave, mbajtja e distancës fizike brenda hapësirave punuese dhe higjiena e duarve”, thuhet në përgjigjen e MSH’së.
Gjermania nga java e kaluar ka filluar hapjen graduale të kufijve me shtetet fqinje, ku kontrollet nuk do të jenë sistematike por vetëm rastësore.
Ndalesat për udhëtime të paarsyetuara nga vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perëndimor, zgjaten deri më 15 qershor.
Ndërkaq, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ka paralajmëruar fluturimet e para nga Kosova për në Itali Zvicër dhe Gjermani nga dita e nesërme