Ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë janë parë t’i kenë shkuar në zyre kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në fotot e bëra nga Ekonomia Online, shihen të parkuara, para ndërtesës së Qeverisë, automjetet e diplomatëve ndërkombëtarë.
Takimi po zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë dhe vjen pas dakordimit që pati në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me aktin e zbatimit të Aneksit të marrëveshjes së propozuar nga BE-ja.
Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të Planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut disa orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia serish nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.