Ambasadori i ri amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, i ka rikonfirmuar Serbisë pozicionin dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar është zgjidhja e vetme.
Godfrey ka thënë se nuk planifikon t’i mbajë leksione politikanëve të Serbisë, por ka thënë se dialogu duhet të fillon dhe se SHBA’ja dëshiron marrëveshjes mes dy vendeve e cila “në rrethanat ideale” bazohet në njohjen reciproke.
“Nuk planifikoj që të kem qasje ndaj liderëve serbë sikur po u mbaj leksione. Shpresoj në dialog të hapur, por kur të jetë e nevojshme t’u them gjëra të pakëndshme, do t’ua them direkt, në bisedime private, sado që të jetë e mundur, sepse puna diplomatike në atë mënyrë është më efikasja”, ka thënë Godfrey për ‘Politika’.
Po ashtu ambasadori amerikan ka thënë se SHBA’ja nuk ka vija të kuqe në dialogun mes Prishtinës e Beogradit, sipas tij ata nuk do të përcaktojnë mënyrën se si Kosova dhe Serbia duhet të vijnë deri tek zgjidhja përfundimtare.
“Këtu do t’më duhet të citoj Matthew Palmerin i cili thotë se në këtë çështje nuk ka vija të kuqe e as mbështetje blanko. Është mënyrë e mirë për të sqaruar se si e sheh Washingtoni këtë çështje. Nuk do të përcaktojmë mënyrën se si dy palët, Beogradi dhe Prishtina, duhet të vijnë deri tek zgjidhja”, tha Godfrey kur është pyetur se nëse ideja e Washingtonit për ndryshim kufijsh është në tavolinë, transmeton gazetametro.