Ambasadori amerikan në Bosnjë: Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë është i papranueshëm

Prishtinë | 11 Kor 2021 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Bosnjë e Hercegovinë, Eric Nelson sot në përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë ka thënë se mohimi i këtij akti është i papranueshëm.

Nelson tha se veprime të tilla fyejnë viktimat dhe shkaktojnë dhimbje, në një video-mesazh me të cilin ai iu drejtua familjarëve të viktimave të Srebrenicës.

Ai tha se viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, të mbijetuarit, familjet dhe brezat e rinj meritojnë një të ardhme të qetë dhe të prosperuar.

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë bashkohem me të gjithë ata që mbajnë zi për më shumë se 8,000 viktima të vrara në Srebrenicë në BeH dhe më gjerë. Lavdërimi i krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës është i papranueshëm. Veprime të tilla ofendojnë viktimat dhe u shkaktojnë dhimbje atyre dhe familjeve të tyre dhe dëmtojnë besimin e ndërsjellë që të gjithëve në BeH u duhet për ta ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, të prosperuar dhe paqësore. Ata që i kanë kryer këto krime mbajnë përgjegjësi individuale. Krimet që ata kanë kryer nuk sjellin përgjegjësi kolektive. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të palëkundura në mbështetjen e tyre për të gjithë në BeH të cilët janë të gatshëm të punojnë në një frymë pajtimi. Ne jemi të përqendruar në krijimin e mundësive për prosperitet për të gjithë qytetarët. Viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, familjet dhe fëmijët e tyre meritojnë një të ardhme të qetë dhe të begatë, ku të gjithë do të kenë mundësinë të kenë sukses”, tha Nelson.

Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër, e cila është konfirmuar si gjenocid, është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Të ngjashme