Ambasadori amerikan në Serbi edhe një herë ia tërheq vërejtjen Kurtit, ka dy kërkesa

Prishtinë | 06 Nën 2022 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i SHBA-ve në Beograd,  Christopher Hill ka reaguar pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet kosovare.

Hill ka thënë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve.

“Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se ngjarjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rrezikojnë progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun i cili po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së”, ka deklaruar Hill për gazetën serbe “Blic”.

Sipas ambasadorit amerikan, lëvizjet e fundit nga pala serbe mund të përshkallëzojnë edhe më tej tensionet.

Hill iu ka bërë thirrje përfaqësuesve serbë të Kosovës, që të respektojnë zotimet e tyre nga dialogu dhe të kthehen në institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, gjyqësorin dhe komunat.

Po ashtu, Hill i ka bërë thirrje edhe qeverisë së Kosovës që pa vonesë t’i përmbahen obligimeve të përcaktuara nga marrëveshja e Brukselit dhe të nisin sa më shpejt negociatat

për themelimin e Asociacionit.

“Në të njëjtën kohë, ne i bashkohemi BE-së dhe bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të respektojnë detyrimet pa ndonjë vonesë. Vendimi për ri-regjistrimin e automjeteve të shtyhet dhe të pezullohet çdo masë ndëshkuese ndaj pronarëve të veturave me tabela KM derisa palët brenda dialogut të zgjidhin çështjen e targave. Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e asociacionit të komunave serbe që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon në parim sundimin e ligjit, dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, ka theksuar Hill.

Po ashtu, ambasadori amerikan ka kërkuar që të zgjidhet rruga e dialogut, dhe që Serbia e Kosova të përmbahen nga veprimet të cilat do të çonin në destabilizim të situatës.

Të ngjashme