Ambasadori amerikan pas zgjedhjes së Isufajt si kryeprokuror: Jemi të shqetësuar, u dëmtua besimi ynë në KPK

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas votimit të Blerim Isufajt për kryeprokuror, duke thënë se mënyra se si KPK-ja ka zhvilluar procedurat e përzgjedhjes ka dëmtuar besimin në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur pritshmëri për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri që të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita.

“Fakti që anëtarët e KPK-së e shpërfillën ligjin ankesat dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bien ndesh me atë standard. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur kandidat të preferuar dhe as nuk kemi gjykuar kualifikimet e kandidatëve individualë. Ne jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK-ja i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimit tonë në KPK si institucion publik”, ka shkruar diplomati amerikan.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke përfshirë anëtarë të Ambasadës amerikane, morën pjesë në procedurën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) më 6 prill për të zgjedhur kryeprokurorin e ardhshëm, por prania e tyre si vëzhgues nuk duhet të konsiderohet si miratim i procesit, ka shtuar ai.

Postimi i plotë:

Përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë anëtarë të Ambasadës së SHBA-së, u ftuan të marrin pjesë në procedurat e KPK-së më 6 prill për të zgjedhur Kryeprokurorin e ardhshëm të Shtetit. Prania jonë si vëzhgues nuk duhet të konsiderohet si miratim i procesit apo procedimit.

Në disa raste, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur pritshmëri për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ardhshëm të Shtetit, të cilat ne besojmë se ndahen edhe me qytetarët kosovarë: të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita.

Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. SHBA-të nuk kishin një kandidat të preferuar dhe as nuk gjykonim kualifikimet e kandidatëve individualë.

Jemi të shqetësuar nga mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura, duke dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK si institucion publik.

Të ngjashme