Ambasadori amerikan për takimin në Bruksel: Serbia kishte frymën e duhur në dialog

Prishtinë | 20 Gus 2022 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill deklaroi se pala serbe kishte “frymën e duhur” gjatë dialogut me Kosovën më 18 gusht në Bruksel.

Në një video-adresim të tij, të publikuar një ditë më parë në Tëitter nga Ambasada amerikane në Serbi, thuhet se kjo është gjë e mirë për vazhdimin e dialogut me Kosovën, por edhe për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Serbi.

“Mendoj që kemi shumë çështje të përbashkëta që mund të punojmë. Jo gjithçka që bëjnë SHBA-ja dhe Serbia duhet të lidhen me Kosovën. Ne duhet të punojmë shumë në çështjen me Kosovën, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët, por mendojmë që ka edhe çështje tjera që mund të punojmë me Serbinë dhe jam shumë i inkurajuar nga ajo që pash dje”, tha Hill.

Më 18 gusht, u zhvillua takimi i radhës në Bruksel mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe atij të Kosovës, Albin Kurti me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit nuk prodhuan asnjë marrëveshje.

Kryediplomati Josep Borrell në konferencën për mediat pas takimeve me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, tha se s’kanë arritur marrëveshje lidhur me vendimin për targat dhe dokumentet e udhëtimit.

Borell tha se dy liderët ranë dakord që të vazhdojnë diskutimin dhe të rikthehen për bisedime para 1 shtatorit.

Të ngjashme