Ambasadori amerikan pret që serbët të dalin në zgjedhje – Heqja e ndalesës për mallrat serbe mos të kushtëzohet me masat e BE-së

Prishtinë | 16 Gus 2023 | 14:14 | Nga Hanmie Lohaj

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pret që serbët që jetojnë në veri të marrin pjesë në zgjedhje që pritet të mbahen në këtë pjesë të vendit, për çka edhe kanë nisur procedurat e shkarkimit të kryetarëve aktual.

Ai gjatë takimit me gazetarë në ambasadë, ku ka marrë pjesë edhe Ekonomia Online, shtoi se Kosova është zotuar se do të përmbushë marrëveshjen për shtensionim të në veri.

“Jemi të shqetësuar sa i përket situatës në veri të Kosovës dhe i kemi kërkuar Qeverisë të marrë masa. I kemi kërkuar edhe Qeverisë së Serbisë të marrë masa për të arritur shtensionim në veri të Kosovës. Ne duam të shmangim trazira, kërcënime të dhunës, dhe gjëra të tjera të cilat pengojnë aftësinë tonë për të punuar me palët për t’u fokusuar në objektivat strategjike, që është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, nga të dyja palët”.

“Pyetja se si do të mbahen zgjedhjet në veri është pyetje e brendshme për Kosovën. Se a bëhet kjo bëhet përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave, ose nëse bëhet përmes një procesi ku votuesit votojnë për t’i larguar kryetarët aktualë ne jemi të interesuar vetëm të shohim procesin qe po ecën para”.

Hovenier kërkoi që heqja e ndalesës për mallrat serbe të mos kushtëzohet me heqjen e masave ndaj Kosovës nga BE.

Këto komente ai i bëri kur u pyet për një deklaratë të ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, se Prishtina do të anulonte vendimin për mallrat nëse Bashkimi Evropian do të hiqte masat ndëshkuese.

 “ShBA vazhdon ta inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime që promovojnë lirinë e mallrave, pa iu referuar nëse BE-ja ndërmerr veprime ose jo. Unë do të këshilloja fuqishëm kundër përpjekjeve për të rrjedhur disi veprimet e Qeverisë së Kosovës në këtë zonë në pritjet se çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë BE-ja në lidhje me atë”.

“… ajo që karakterizon janë masat e përkohshme dhe të kthyeshme. BE-ja i ka dhënë Kosovës një deklaratë të rrallë nga 27 vendet anëtare në atë që shpreson të bëjë Kosova në bazë të vendosjes së masave dhe çfarë të supozojë në bazë të heqjes së këtyre masave. Nuk jam këtu për të folur në emër të BE-së, por ajo deklaratë është publike. Nuk duhet të jetë mister se çfarë shpreson BE-ja ta shohë Kosovën të bëjë që ato masa të kthehen dhe të mos jenë më në fuqi”.

Sa i përket të drejtave të komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë, Hovenier në takim me gazetarët shtoi se tha se Kosova është shtet shumetnik, ku ofrohet mbrojtja e nevojshme për komunitetet.

“Besoj se disa nga këto komunitete janë të pakënaqura. Ata ndiejnë se nuk po marrin mbrojtjen ligjore dhe nganjëherë edhe respektin që po e kërkojnë brenda shoqërisë apo edhe nga Qeveria. Pjesë e dialogut tonë me Qeverinë dhe organizata të shoqërisë civile se si mund të ndihmojmë Kosovën që të jetë më e suksesshme në integrimin dhe që të gjithë qytetarët, pavarësisht etnisë të tyre, të ndiejnë se kjo është shtëpia e tyre, ku trajtohen me dinjitet, respekt dhe siguri. Ka pasur përparim në shumë fusha, por mendoj se ende ka shumë punë që duhet bërë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme