Ambasadori i SHBA-së: Të fillojnë urgjentisht negociatat për Asociacionin

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier, ka thënë se urgjentisht duhet të nis puna për fillimin e formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”, tha Hovenier raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai tha kështu gjatë një takimi me gazetarë gjatë së mërkurës.

Deklaratat e diplomatit amerikan, vijnë disa ditë pasi zyrtarët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, njoftuan se serbët e veriut do të largohen nga institucionet e drejtësisë, të rendit, komunale, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor zbatimin e një plani për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe – gjë që u kundërshtua nga shumica e serbëve lokalë dhe nga Beogradi zyrtar.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ky plan të shtyhet për dhjetë muaj, por kjo kërkesë u refuzua

Të ngjashme