Ambasadori i Turqisë zhvillon vizitë në Prekaz

Prishtinë | 14 Mar 2023 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı ka vizituar fshatin Prekaz në Skënderaj ku ndodhet varri i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari dhe familjes së tij.

Fillimisht, ambasadori Angılı vendosi kurora me lule për rënien e heroit Jashari dhe familjes së tij, ndërsa më pas vizitoi edhe shtpëinë e Jasharëve.

Ambasadori Angılı u prit nga Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit, derisa pas takimit me Rifat Jasharin tha për AA se Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e popullit turk.

Angılı tha se Turqia e ka përkrahur dhe vazhdon ta përkrahë popullin e Kosovës në çdo mënyrë.

“Kosova ka një vend të veçant në zemrat tona. Pas tërmetit të 6 shkurtit, Kosova ishte një nga vendet e para që i erdhi në ndihmë popullit turk. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë. Jam këtu sepse desha ta shoh me sytë e mi se si filloi përpjekja për pavarësi”, tha Angılı, raporton Anadolu.

Rifat Jashari nga ana tjetër shprehu falënderime për Turqinë dhe i dërgoi ngushëllime gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre nga tërmeti i 6 shkurtit duke u lutur që të gjallëve Zoti t’u jep forcë dhe durim, ndërsa të vdekurit “Zoti t’i ketë marrë në mëshirën e Tij”.

“Së pari e falënderoj ambasadorin e Turkiye-s në Kosovë, e falënderoj edhe presidentin Erdoğan që edhe gjatë periudhës së luftës ishte në krahun tonë, në ndihmën tonë dhe sot e asaj dite përsëri është me ne dhe na ndihmon në të gjitha mënyrat. Besoj që do të jemi gjithmonë bashkë dhe kjo është dëshmuar pasi u bë sheshi ‘Adem Jashari’ në Sivas dhe besoj se kjo lidhje do të jetë brez pas brezi”, tha Jashari.

Të ngjashme