Kërkesa e Prishtinës që Serbia të njohë Kosovën është “marrëzi” dhe kushdo që e kupton realitetin e di se është e pamundur, tha ambasadori rus në Beograd, Aleksander Bocan Kharchenko.
Ai në një ligjëratë online me temë “Partneriteti strategjik ruso-serb dhe situata në Ballkan” theksoi se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Kosovën që të zbatojë të gjitha dispozitat e marrëveshjeve të nënshkruara, veçanërisht për themelimin e Unionit të Komunave Serbe, për të cilën Rusia insiston, sepse kjo është mënyra më e rëndësishme dhe e vetmja për të vazhduar dialogun, raporton N1.
“Ne mbështesim dialogun, nuk ka rrugë tjetër. Ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen e dialogut dhe mungesën e progresit”, tha Bocan Kharchenko.
Duke komentuar integrimin evropian të Serbisë, ai theksoi se nga Rusia nuk kanë ardhur ndonjëherë fjalë apo deklarata kundër atij procesi, ndërsa nga Bashkimi Evropian, sipas tij, shpesh kanë ardhur mesazhe se Rusia po e pengon rrugën e Serbisë.
Bocan Kharchenko shtoi se Rusia mbështet neutralitetin e deklaruar ushtarak të Serbisë, sepse kjo tha se siguron stabilitet dhe është me vendosmëri kundër anëtarësimit në Aleancë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ai bëri thirrje gjithashtu për shfuqizimin e Përfaqësuesit të Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar në BeH.
Gjendjen e marrëdhënieve politike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Boçan Kharçenko e cilësoi si më se të kënaqshme, sepse ato kanë karakter strategjik.
“Serbia i bashkohet OKB-së së bashku me Rusinë dhe gjithmonë e mbështet atë në parandalimin e rezolutave të ndryshme që përpiqen të rishikojnë historinë, mbrojnë parimet e OKB-së dhe nuk pajtohen me shpikjen e rregullave të bëra nga disa vende, që këto rregulla të përcaktojnë ligjin dhe aktivitetet ndërkombëtare në vend të Kartës së OKB-së. Ai bashkëpunim miqësor dhe vëllazëror është edhe për çështjen e Kosovës”, ka theksuar ai.
“Bashkëpunimi ekonomik është gjithashtu strategjik, ne po i ndërtojmë marrëdhëniet me Serbinë në bazë të interesit të ndërsjellë, ka një marrëdhënie partneriteti dhe respekt të ndërsjellë si në marrëdhëniet ekonomike ashtu edhe në energjetikë”, tha Boçan Kharçenko.
Ambasadori rus vlerësoi se tregtia mes dy vendeve së shpejti do të arrijë nivelin para shpërthimit të pandemisë – më shumë se tre miliardë dollarë, dhe qëllimi dhe mundësia reale është katër miliardë.