Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në Kosovë, në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se Republika e Kosovës, dy dekada më parë, ishte para Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Ai thotë se ky fakt “e trishton”, duke shtuar se Prishtina duhet ta ndjekë Tiranën në këtë rrugë.
“E pashë sot që presidenti i Komisionit Evropian, Antonio Costa, kishte një fjalim shumë të mirë për qytetarët shqiptarë, duke i mirëpritur ata në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Ata po përparojnë kaq mirë në negociatat me Bashkimin Evropian. Më trishton ajo që Kosova para dy dekadash ishte para Shqipërisë, për disa arsye tani Shqipëria është përpara Kosovës dhe Shqipëria mundet shumë mirë e shumë shpejt të bëhet anëtare e BE-së”.
“Shpresoj që Kosova do ta ndjek Shqipërinë sa më shpejt që është e mundur dhe kjo do të thotë që juve ju duhet unitet në vend po ashtu”, u shpreh ambasadori suedeze në këtë intervistë.
Me rastin e 9 majit, që është Dita e Evropës, kur kremtohet Deklarata e Rober Schumanit e bërë në këtë datë të vitit 1950, Westerlund tha se “ne duam ta kemi një Evropë të fortë dhe të bashkuar”.
“Kjo që do të thotë që ne duam t’i kemi në të ardhmen Ukrainën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesë të Bashkimit Evropian”, deklaroi Jonas Westerlund.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, tha se ngërçi politik mund të sjellë pasoja në rrugën e vendit drejt BE-së.
Ai është i mendimit se në planin afatshkurtër, nuk do të mund të ndikonte integrimin me Evropën, pasi sipas tij, polarizime ka edhe në shumë kryeqytete e vende në botën e sotshme.
“Por tani janë bërë 16 muaj dhe ju duhet të miratoni ligje të caktuara në Kuvend që të ecni përpara: pra, nëse doni të keni qasje në Planin e Rritjes – duhet të miratohen një numër i caktuar të ligjeve në Parlament. Kështu që kjo situatë në afatgjatë fatkeqësisht do ta pengojë integrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, deklaroi ambasadori suedez.