Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) kanë publikuar raportin: “Mbrojtja nga diskriminimi në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli tha se raporti ka pasur për qëllim të kuptojë më thellë diskriminimin ndaj grupeve më të margjinalizuar në Kosovë.
Poashtu Demolli ka njoftuar se Kosova ka një kornizë të fortë ligjore për mbrojtje nga diskriminimi por që akoma nuk është trajtuar ndonjë rast anti-diskriminim.
“Ka pesë vite që jemi munduar ta kuptojmë në mënyrë të thellë diskriminimin në Kosovë. Kemi parë që kemi një kornizë të mirë ligjore për mbrojtjen nga diskriminimi. Shteti ynë ende nuk e ka një rast që e ka trajtuar me legjislacion anti-diskriminim. Kemi dashur të shohim diskriminimin që u bëhet grupeve më të margjinalizuar si grave, komunitetit LGBTI e komuniteteve tjera”, është shprehur ajo.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo ka thënë pandemia e ka vështirësuar punën me grupet e margjinalizuara.
Lobeezoo ka kërkuar që të ketë ligj për mbrojtjen e të drejtave të këtyre grupeve.
“Askush nuk ka mund të paramendoj që do të kalojmë pandeminë. Para dy viteve nuk mund të kisha paramenduar që do të kalojë tërë këtë kohë para kompjuterit. Është më vështirë me punuar gjatë kësaj kohe me grupet e përmendura”.
“I kemi të gjithë akterët që të implemetojnë ligjin. Ligji duhet t’i mbrojë ata që kanë nevojë. Gratë duhet të kenë tretman të barabartë me të tjerët. Korniza legjislative duhet të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të tyre”, ka thënë ajo.
Arben Fejza, nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, tha se ndër institucionet më përgjegjëse për mbrojtje nga diskriminimi është Avokati i Popullit.
Gjithashtu Fejza ka treguar se kanë intervistuar në kuadër të hulumtimit hisedarët kryesor që kanë për detyre dhe përgjegjësi mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në kuadër të këtyre institucioneve Fejza ka përmendur: Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Financave e të tjera, Komunat e Kosovës e Policinë.
Në anën tjetër avokati i Popullit, Naim Qelaj është shprehur se ka mungesë të zbatimit të ligjit për mbrojtje nga diskriminimi në Kosovë, raporton EO.
“Ligji për diskriminim mund të them që ka ngecje në zbatim si rezultat i shumë faktorëve”, ka theksuar ai.
Ndërsa Drejtori i Zyrës për Qeverisje të mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësitë e Barabarta dhe jo-Diskriminimin nga Zyra e Kryeministrit, Habit Hajredini ka thënë se mirë vlerëson një raport të tillë që ndihmon institucionet ku me i vendosë prioritetet.
“Ne kemi bashkëpunuar edhe duke e ditë që Covid ka pamundësuar që intervistat të jenë më të çasshme. Diskriminimi është një gamë shumë e gjerë që obligon të gjitha institucionet në nivel vendi për ta zbatuar ligjin anti-diskriminim”, tha ai mes tjerash.