Në Amerikë se kishte asnjë. Por në Kosovë i ka bërë katër motra. Ato e kanë mësuar të flas shqip, të përgatisë ushqime tradicionale. Por, edhe ia kanë mësuar një gjë të rëndësishme. Vallëzimin në dasma me muzikë shqip. Është kjo Melinda Zanner e cila në Kosovë ka ardhur si vullnetare në kuadër të Korpusit të Paqes.
Ata sot kanë mbajtur një takim me kryetarët e komunave të Kosovës, në të cilin u tha se Kosova është vend shumë mikpritës.
Melinda Zanner, tha se tashmë është familjarizuar me njerëzit në Kosovë. Ajo jep mësim dhe thotë se ka mësuar gjëra të ndryshme nga nxënësit në Kosovë.
“Në Amerikë s’kam motra, por këtu në Kosovë tash i kam katër motra. Jam e kënaqur që jetoj me fëmijët shqiptarë tash e një vit e gjysmë, ata janë shumë të sjellshëm, më kanë mësuar gjuhën shqipe, si të përgatis ushqim tradicional dhe si të vallëzoj për dasmë”, tha Zanner.
Gjuhën shqipe e ka mësuar shumë mirë edhe Michael Grienauer, nga Los Angeles.
Ky amerikan ka një vit e gjysmë që jeton me një familje shqiptare në Prizren, qytet ky ku jep mësim të gjuhës angleze. Ai tha se tashmë po ndihet shumë i integruar në shoqëri.
Amerikani që fjalimin e mbajti në gjuhën shqipe, tha se iu është bashkuar këtij korpusi për ta sfiduar veten.
“Mendoj që kur e sfidojmë veten, mësojmë më shumë. Unë doja ta mësoja një kulturë të re, doja të shkoja në një vend të ndryshëm, ta shihja si jetojnë njerëzit e tjerë e sidomos kam zgjedhur të vij këtu sepse unë kam qenë në rajonin e Ballkanit në të kaluarën dhe kam vërejtur që njerëzit këtu janë shumë të hapur, ka shumë mikpritje, më shumë se në LA në vendin tim, dhe unë isha shumë i impresionuar”, tha Grienauer.
Zëvendësja e shefit të Misionit të Ambasadës së Amerikës në Kosovë, Colleen Hyland tha se për Korpusin e Paqes nuk ka partneritet më të mirë se ai që kanë në Kosovë. Ajo po ashtu tha se vullnetarët e këtij korpusi ndër të tjerash mundohen që të ndihmojnë të rinjtë në Kosovë t’i zhvillojnë aftësitë e tyre të gjuhës e të inkuadrohen sa më shumë në komunitet.
“Vullnetarët tanë janë vendosur në çifte me disa nga mësimdhënësit me më së shumti përvojë dhe gjatë klasave mësimore ndihmojnë nxënësit që të që avancojnë nivelin e gjuhës angleze në mësimet që i marrin. Ndërkaq, jashtë klasave mësimore ata bëjnë më shumë se kaq. Ata kanë zgjedhur që t’ua kushtojnë dy vite juve dhe nxënësve tuaj, dhe përkushtimi i tyre nuk përfundon te dyert e shkollës. Vullnetarët e Korpusit të Paqes po iniciojnë projekte në komunitet, si ai në Vushtrri, në mënyrë që të zhvillojnë nivelin e udhëheqësisë në shkollat e mesme”, ka thënë Hyland.
Ndërkaq, Shpresa Hashani, bashkëpunëtore në Korpusin e Paqes tha se prania dhe puna e vullnetarëve të huaj të këtij korpusi po e ndihmon edhe më shumë procesin mësimor dhe vet mësimdhënësit në Kosovë, transmeton kp.
Në këtë takim merrnin pjesë edhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe ai i Vushtrrisë Xhafer Tahiri.
Përndryshe, Korpusi i Paqes u themelua më 1 mars, 1961 nga presidenti John F. Kennedy me qëllimin që të promovojë paqen dhe miqësinë në botë, duke dërguar vullnetarë amerikanë për të kontribuar në zhvillimin social, ekonomik dhe njerëzor në vende të ndryshme. Në vitin 2014, Kosova u bë vendi i 140-të në të cilin shërben ky korpus.