Amerikanët kërkojnë zgjidhje për varrezat e protestantëve

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 08:19 | Nga

Zyrtarë të Ambasadës amerikane në Kosovë kanë kërkuar nga drejtuesit e institucioneve lokale që ta gjejnë zgjidhjen për varrezat e komunitetit protestant, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë dhe sipas ligjeve në fuqi.
Ky reagim i Ambasadës së Amerikës ka ardhur pas serisë së shkrimeve të publikuara këtë javë në gazetën “Zëri”, në të cilën bëhet e ditur se protestantët në Kosovë janë të diskriminuar, duke mos i lejuar të varrosen me kryq dhe njëkohësisht duke mos u ndarë tokë për varreza.

“Është e rëndësishme për të gjetur një zgjidhje për komunitetin protestant për këtë çështje të rëndësishme. Ajo çfarë e bën këtë çështje të vështirë për ta zgjidhur, është ajo që ne i kuptojmë se pjesët e varrezave publike tradicionalisht janë rezervuar për komunitetet individuale fetare. Sfida për komunat është që të sigurojnë qasje në varreza për të gjitha grupet, por gjithashtu për ta bërë këtë në një mënyrë, e cila është e respektueshme me besimin e komuniteteve të cilat tashmë i shfrytëzojnë pjesët e caktuara të varrezave”, ka deklaruar zëdhënësja e kësaj Ambasade, J. Michele Schohn, duke shtuar se qytetarët e Kosovës u paguajnë taksa dhe tarifa komunave dhe me të drejtë presin që të respektohen në mënyrë të barabartë sipas ligjeve.

“Liria fetare është një vlerë e respektuar për të dy popujt tanë, aq shumë sa është ruajtur në të dyja kushtetutat tona”, ka potencuar ajo.(Zeri)

Të ngjashme