Amir Rrahmani, më i miri i vitit

Prishtinë | 31 Dhj 2021 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Kapitenit të Kombëtares i janë shpërblyer paraqitjet e shkëlqyeshme me Kosovën dhe me Napolin.

Amir Rrahmani është mbret i futbollit kosovar.

Mbrojtësi i Napolit është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2021.

Forma e jashtëzakonshme që e shfaqi 27 vjeçari, me Kosovën dhe me ekipin italian, iu shpërblye atij.

Rrahmani e fitoi me plot meritë çmimin “Fadil Vokrri” në manifestimin “Laureatët e Vitit”, të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit dhe Veronës, u ndie i lumtur dhe i privilegjuar për këtë çmim.

“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Ky çmim për mua është një privilegj i madh dhe një shtysë që të punoj edhe më shumë për të ardhmen. Për mua ka qenë viti më i suksesshëm, ndoshta më i miri në karrierën time, por besoj se është vetëm fillimi, sepse kur arrin në këto nivele gjithmonë mundohesh të përmirësohesh sa më shumë. Faleminderit edhe njëherë për besimin dhe shpresoj që të kthemi më të fortë në kualifikimet e ardhshme, ju përshëndes të gjithëve”, tha Rrahmani

Gjithashtu, ai u zotua se me shokët e Kombëtares do të mundohen ta dërgojnë Kosovën në një garë të madhe.

“Po e mbyllim një vit jo edhe aq të mirë për kombëtaren sepse kemi pritur rezultate më të mira, por futbolli e ka kështu. Duhet të besojmë që në të ardhmen të kualifikojmë Kosovën në Evropian ose Botëror, pse jo”, deklaroi ai.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Manifestimi i këtij viti u mbajt vetëm me praninë e laureatëve për shkak të masave mbrojtëse kundër Covid-19.

Krahas çmimit kryesor, u ndanë edhe çmimet për më të dalluarit në futbollin kosovar.

Epiteti i futbollistit më të mirë të vitit në BKT Superligë me votat e gazetarëve sportivë i takoi Endrit Krasniqit.

Mesfushori kualitativ dha kontribut të çmuar në rrugën drejt titullit të kampionit dhe u shqua edhe në garat evropiane.

Ndërsa, klubi i tij FC Prishtina u nderua me çmimin e klubit më të mirë të vitit.

E trajneri më i mirë u shpall ZekirijaRamadani, i cili me Prishtinën e fitoi titullin e kampionit.

Çmimin e golashënuesit më të mirë e fitoi sulmuesi i Gjilanit, GerhardProgni, me 19 gola të shënuar.

Gjithashtu, u zgjodh edhe 11-shja më e mirë e vitit.

Atë e përbëjnë: EneaKoliqi (Gjilani), LeotrimBekteshi (Prishtina), Ardian Limani (Drita), Ilir Blakqori (Drita), ArmendThaqi (Ballkani), ArbnorRamadani (Llapi), Endrit Krasniqi (Prishtina), Valmir Veliu (Llapi), Ermal Krasniqi (Ballkani), GerhardProgni (Gjilani) dhe Kreshnik Uka (Drenica).

Gjyqtari më i mirë i vitit 2021 u shpall Dardan Çaka.

Çmimin e klubit më ‘fair-play’ e fitoi Feronikeli.

Në futbollin e femrave futbollistja më e mirë u shpall Donjeta Halili.

E klubi i saj KFF “Mitrovica” e fitoi çmimin e klubit më të mirë.

Shpresa e vitit u zgjodh anëtarja e KFF Malisheva, Vesa Paçarizi.

Ndërkaq, në futsall epiteti i lojtarit më të mirë i takoi YulianDavidDiazMontanez.

Derisa klubi i tij, FC Liqeni u shpall klubi më i mirë i vitit.

E si zakonisht me mirënjohje post-mortum u nderuan të gjitha personalitetet që kontribuuan në futbollin kosovar në periudha të ndryshme dhe që ndërruan jetë gjatë këtij viti.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Të ngjashme