Banorët e fshatit Pouskë të Komunës së Prizrenit janë në hall nga një ari i murrmë, të cilit disa javë më parë gjuetarë nga e njëjta zonë ia kishin vrarë ariut katër këlyshët e saj.
Tash e disa javë, banorët e këtij fshati po përballen me hakmarrjen e ariut të cilin dyshohet se e kanë tërbuar.
Nga ana tjetër Agjencioni per Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës, përmes një postimi në faqën e saj zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se ka informuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në lidhje me dëmet e shkaktuara nga ariu, transmeton Ekonomia Online.
“Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare Sharri është duke e përcjell në vazhdimësi shqetësimet dhe frikën e banorëve të fshatit Pouska të Komunës se Prizrenit që ditëve të fundit janë shfaqur si pasojë e dëmtimit të bagëtive dhe mundësisë së ndonjë sulmi në njerëz. DAPK “Sharri” pasi që është informuar rreth dëmeve të shkaktuara nga ariu menjëherë ka informuar strukturat udhëheqëse të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Kemi mbajtur takime të vazhdueshme me institucionet e MMPH/AMMK siç janë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Inspektoratin e Mjedisit dhe Divizionin e Natyrës ku është diskutuar për mundësin e gjetjes së zgjidhjeve për të ju përgjigjur shqetësimit të banorëve të fshatit Pouska.” thuhet në postim.
Ndërkaq, DAPK “Sharri”, ka shtuar se kanë mbajtur takime me institucionet lokale të Prizrenit për zgjidhjen të këtij problemi.
”DAPK “Sharri” është duke e trajtuar këtë rast si dhe është duke punuar në gjetjen e zgjidhjes të këtij problemi konformë legjislacionit në fuqi. Në kuadër të këtyre përpjekjeve DAPK “Sharri” ka mbajtur takime të vazhdueshme edhe me institucionet lokale të Komunës se Prizrenit përkatësisht me Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillimin Rural, pastaj me Policinë e Kosovës dhe me Shoqatën e Gjahtarëve Sharri në Prizren”.
“Gjatë këtyre takimeve është diskutuar për marrjen e masave të menjëhershme që të veprohet në mbrojtjen e banorëve të fshatit Pouska përmes patrullimeve të vazhdueshme 24 orësh të Policisë së Kosovës, zyrtareve të PK Sharri dhe shoqatës së Gjahtarëve Sharri, në këtë vendbanim dhe në momentin që bëhet identifikimi i ariut të kontaktohen edhe zyrtaret e Strehimore Parku i Arinjve në Mramore – Prishtinë për mundësin e trajtimit të ariut.” thuhet në postim.
Nga ana tjetër DAPK “Sharri” ka kërkuar nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm dhe në rast se e shohin ariun të lajmërojnë në polici.
“Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare Sharri me qellim të parandalimit të ndonjë fatkeqësie ndaj banoreve të fshatit Pouska por edhe ndaj banorëve që jetojnë afër kufirit të Parkut Kombëtare kërkon që të jenë më të kujdesshëm. Prandaj për këtë qëllim kërkojmë nga banorët që në rast se shohin apo hasin në ariun menjëherë të lajmërojnë Policinë e Kosovës apo zyrtaret e Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri.”