Amnesty International: Presidenti i ri i Iranit të hetohet për krime kundër njerëzimit

Prishtinë | 19 Qer 2021 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, të shtunën e përsëriti thirrjen e saj që presidenti i porsazgjedhur i Iranit, Ebrahim Raisi, të hetohet për rolin e tij në ato që grupet për të drejtat e njeriut dhe Uashingtoni i kanë cilësuar si ekzekutime jashtëgjyqësore të mijëra të burgosurve politikë më 1988.

Irani asnjëherë nuk i ka pranuar ekzekutimet massive dhe Raisi kurrë nuk i ka adresuar pretendimet rreth rolit të tij në këtë ngjarje. Disa klerikë kanë thënë se gjykimet ishin të drejta, duke e çmuar “eliminimin” e opozitës së armatosur në vitet e para të Revolucionit Islamik të 1979-ës.

“Rrethanat e fatit të viktimave dhe vendndodhja e trupave të tyre, deri në këtë ditë, vazhdimisht janë fshehur nga autoritetet iraniane, gjë që paraqet krime të vazhdueshme kundër njerëzimit”, tha përmes një deklarate sekretarja e përgjithshme e organizatës “Amnesty Internationa”, Agnes Callamard.

“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që Ebrahim Raisi të hetohet për përfshirjen e tij në krimet e së kaluarës dhe të tashmes sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë nga shtetet që e ushtrojnë juridiksionin universal”, shtoi ajo.Reklamë

Callamard tha se gjykatësi me qëndrime të skajshme duhet të hetohet edhe për shtypjen e të drejtave të njeriut viteve të fundit, shkruan Reuters.

Ndryshe, Raisi u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të së premtes dhe u urua nga kundërkandidatët. Ai shihej si favorit që para garës për shkak të përkrahjes që e gëzon nga lideri supreme i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe Rojat Revolucionare, njësi elite e forcave të armatosura që ka ndikim edhe në skenën politike.

Të ngjashme