Amnezia për kryetarin e LDK-së

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 09:02 | Nga Afrim Kasolli

Vërehet qartë se ekziston një prirje në shumë media për ta mbajtur të bllokuar kritikën publike ndaj Lumir Abdixhikut. Arsyet nuk i di. Për ta ekspozuar atë si liderin e munguar. Shpëtimin për të ardhmen dhe si riinkarnim të I.Rugovës. Portretizim ky që është shumë larg realitetit.

A mund të imagjinohet që ish lideri historik i LDK-së do të ishte strukur si struci dhe nuk do të kishte pasur guxim politik as për ta përshëndetur një marrëveshje të nënshkruar në Uashington?

Po ashtu sot programi i tij tentohet të paraqitet si një lloj Bible dhe Kurani që vetëm duhet të adhurohet, besohet dhe pranohet, por jo si një dokument që duhet të analizohet dhe kritikohet. Kjo qasje nuk i kontribuon reformës në LDK. Kjo mund t’i kontribuojë vetëm imazhit personal të kryetarit të LDK-së. E cila tenton ta imponoj një amnezi publike për të.

E kuptueshme që kritika publike sot duhet të jetë e orientuar më shumë ndaj pushtetit. Mirëpo, nëse heshtet ajo ndaj opozitës kur kjo e fundit nuk ofron asgjë, sikur se programi i fundit të LDK-së, atëherë nuk i ndihmohet as demokracisë dhe krijimit të alternativave të mirëfillta politike ndaj atyre që sot qeverisin vendin. Bie fjala, ky program në sferën e arsimit përmban edhe elemente diskriminuese. Parasheh 70% të klasave të pajisen me mjete digjitale. Por pse jo edhe për atë 30%? Mbi çfarë kriteri bëhet kjo ndarje?

Për pjesën e drejtësisë të mos flasim. Është një shkarravinë tipike. Ku premtohen gjëra që tashmë janë realizuar. Apo propozime për krijime të institucioneve paralele sikur se ai për themelimin e “Këshillit Shtetëror të Hetimeve”, që nuk është asgjë tjetër pos një eufemizëm për Byronë aktuale të pushtetit.

Kështu fakti se ky program që po glorifikohet si e vetmja mundësi për ta nxjerr Kosovën nga kriza, por përmban projekte që institucionet tona tashmë i kanë implementuar nuk është e rastësishme. Por është shprehje tipike e Lumir Abdixhikut që si politikan u afirmua politikisht së bashku me Vjosën dhe Albinin vetëm në saje të narracionit populist se në Kosovë për 20 vjet nuk është bërë asgjë, por vetëm është shkatërruar ky vend. Kurse, duke e parë që tashmë ky diskurs ka rënë në krizë dhe është bërë burim i shumë tensioneve të brendshme dhe të jashtme, ai po tenton që me një dinakëri të shkëputet publikisht nga partnetërt e tij të dikurshëm politikë duke e shfaqur vetën si alternativë ndaj tyre. Mirëpo, që mjerisht skemat e kësaj mendje të robëruar nga realiteti po shfaqen në atë që tenton t’ia shes opinionit si ardhmja.

Kjo nuk do të thotë që LDK nuk ka potencial për reforma. Përkundrazi. Por, mjerisht ajo sot drejtohet nga e njëjta frymë që u kultivua ndër vite dhe që është etabluar në pushtet. Prandaj, ajo sot nuk mund të jetë alternativë ndaj këtij të fundit. Në këtë kontekst, se kush mund ta plotësojë këtë vakum opozitar mbetet të shihet. Një rrugë është edhe “rithemelimi i PDK-së”, projekt ky për të cilën do shkruaj në njërin nga shkrimet e ardhshme.

Të ngjashme