Kongresi 29 Shkurtit i PS prodhoi si kryelajm propozimin e një amnistie fiskale të paprecedentë për Shqipërinë.
Por Situata me Covid-19 e la në sirtarët e qeverisë amnistinë. kryeministri Edi Rama paraditen e kësaj të hëne e riaktualizoi këtë propozim i cili shumë shpejt do ti shkojë parlamentit për miratim.
‘’Tani jemi gati që pasi ta kalojmë këtë javë në qeveri, t’ia çojmë parlamentit për të hapur konsultimet dhe diskutimet me të gjitha grupet e interesit që brenda një afati të arsyeshëm, uroj brenda majit, parlamenti të mund ta miratojë, amnistinë fiskale. kjo është një amnisti fiskale e domosdoshme, pasi për 30 vjet me radhë ne e dimë shumë mirë që në radhë të parë qindra mijëra bashkëqytetarë në emigracion kanë punuar punë nga më të ndryshmet dhe kanë plot kursime që i kanë pasur dhe ende sot e kanë të pamundur t’i depozitojnë të gjitha në banka. Amnistia mendohet të ketë një kohëzgjatje prej 1 viti dhe të ndahet në 3 fasha 4-mujore. “Në fashën e parë detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 5%, në fashën e dytë 7% dhe në fashën e tretë 10%’’.
Kryeministri Edi Rama u kujdes të përsëriste edhe njëherë tjetër kategoritë që nuk përfshihen në këtë amnisti e cila do të zgjasë 12 muaj nga data e miratimit.
”Përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitete të caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është edhe subjekt i drejtpërdrejt i veprimtarisë së ligjit special dhe OFL-së. Po ashtu, përjashtohen nga kjo amnisti pa diskutim të gjithë politikanët, zyrtarët e lartë së bashku me rrethin e tyre familjar dhe të gjithë ata që militojnë në radhën e Policisë së Shtetit, gjykatësve, prokurorëve apo në radhën e rangjeve të larta të administratës”.
Ndërkohë që situata e emergjencës sipas kryeministrit Edi Rama pritet të zgjasë përtej 25 Prillit, qeveria është duke u përgatitur edhe për hapjen e një grupi të dytë biznesesh ku përfshihet edhe shërbimi taksi.
‘’Hapja në të gjithë botën një proces gradual.
E-Albania sot lista e aktivitetet e reja që hapen pas 27 Prillit, e që lidhen me tregtinë me pakicë edhe shërbimi taksi vetëm me 1 person’’.
Po ashtu qeveria po bëhet gati të ndihmojë edhe ata persona që punojnë në të zezë.
‘’Janë familje që në këtë situatë kanë një hall më të madh dhe prandaj po punojmë për një bonus të veçantë që do të jetë në masën e një ndihme direkte, njëherë për periudhën e mëtejshme dhe si do të jetë, sa do të jetë dhe kur do të ndodhë, do ta kemi të qartë në javën, këtë javë, brenda kësaj jave do ta lajmërojmë këtë nismë plotësuese, të paketës së zgjeruar për t’u ardhur në ndihmë atyre që janë në të zezë nuk marrin ndihmë ekonomike dhe janë në situatë të rëndë. Ndihmën do ta bëjmë shumë shpejt. Duam të shkojmë përtej ndihmës prej 80 mijë lekësh, sa do ta kalkulojmë, por do ta shohim më tej’’.
Kryeministri dha disa detaje se çfarë do të ndodhë me taksat e biznesit të vogël e atij të madh.
‘’Të gjitha bizneset e vogla nuk do të paguajnë taksa deri në fund të këtij viti. E kemi thënë. Për bizneset e mëdha, një pjese do t’i shtyhen, përjashto ato që janë të përjashtuara, një pjese deri në fund të shtatorit dhe turizmit, fasonëve, call center dhe disa të tjerëve që janë përcaktuar qartë do i shtyhen deri në datë 31 dhjetor për t’i paguar vitin e ardhshëm. Bizneset e vogla do të falen të gjitha taksat për këtë vit edhe nuk kanë punë fare as do u kërkojë asgjë vitin tjetër. Çfarë iku, iku që të marrin veten plotësisht. Me këtë mbështetje, me hapjen dhe taksat që po falim nuk do të dalin keq, mbase do të dalin më mirë se të tjerët dhe e meritojnë se janë më të vegjël dhe më të dobët”
Nga komunikimi i gjatë online me publikun kryemistri tha se nga gushti, besohet se do hapen doganat, por askush theksoi shefi qeverisë shqiptare, nuk e thotë dot se kur do të rikthehet normaliteti dhe ecuria.