Ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, duke iu referuar aksionit anti-kontrabandë të policisë së Kosovës në veri të vendit, e ka krahasuar atë me “Natën e Kristaltë”, natë kjo kur nazistët kishin filluar përndjekjen e hebrenjve.
Për Visar Ymerin, drejtor i Institutit për Politika Sociale “Mousine Kokalari”, deklaratat e minsitrit Rakiq janë të patolerueshme.
“Deklarata e ministrit Rakiq është skandaloze në dy rrafshe. Në njërën anë ai tregon se si mundohet ta paraqesë aksionin e policisë në veri edhe pse ai e di që nuk është i tillë, derisa në anën tjetër është edhe më skandaloze në ofendimin që ai iu bënë ndjenjave dhe kujtesës historike për atë që ka qenë Holokausti. Kurti duhet të pajë një mesazh duke shkarkuar Rakiqin, për të treguar se nuk tolerohen ata që dalin kundër Republikës së Kosovës”, tha Ymeri në RTV Dukagjini.
Në anën tjetër hulumtuesi i zhvillimeve politike Abit Hoxha thotë se deklaratat nuk ishin të rastësishme. Sipas tij këto mesazhe janë të menduara mirë nga elitat serbe dhe se kanë për qëllim të ndryshojnë narrativat e luftërave të fundit të ish-Jugosllavisë.
“Deklaratat janë vazhdimësi e tentativave të shtetit dhe elitave politike e akademike shoqërore në Serbi për të rishkruar historinë e ish-Jugosllavisë dhe për të rimenduar rolin e Serbisë në gjenocidët që i ka shkaktuar në ato luftëra. Nuk është rastësi tërheqja e paraleles me “Natën e Kristaltë” dhe të gjitha këto narrativa pasi janë të menduara mirë nga elitet serbe”, deklaroi hulumtuesi Hoxha, përcjell Telegrafi.
Ishte nata e 9 nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrenjve në Gjermani dhe Austri. Në këtë natë të kobshme për popullin hebre u dogjën më shumë se dyqind sinagoga, u përdhosën varrezat e hebrenjve dhe u thyen gjithë dyqanet e tyre. Nga gjithë xhamat e thyer dhe të rënë nëpër tokë, që dukeshin si kristale në atë natë mizore, 9 nëntori njihet në historinë moderne të njerëzimit si Nata e Kristaltë (Kristallnacht).
Ndaj deklaratave të Rakiqit kishte reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, duke i quajtur këto krahasime të papranueshme.