Shënimi i Ditës së Evropës si festë zyrtare në Kosovë, po vlerësohet i gabuar dhe i panevojshëm, nga njohësit e proceseve integruese. Ata thonëse shënimin e kësaj dite, institucionet në vend do duhej ta bënin me ndonjë aktivitet e me punë praktike për procesin integrues, raporton Ekonomia Online.
Krahas këtyre, analistët kanë kërkuar që Dita e Evropës të ndryshojë e mos të jetë ditë pushimi.
Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë se 9 Maji si Dita e Evropës, nuk duhet të jetë ditë pushimi në Kosovë por, duke pasur në fokus një sundim të ligjit dhe zhvillim ekonomik më të mirë.
Ai thotë se edhe vendet anëtare të BE-së, shënimin e Ditës së Evropës e shënojnë me aktivitete të ndryshme e assesi si ditë pushimi.
“Dita e Evropës është menduar që të jetë festë në Kosovë gjatë krijimit të Kushtetutës. Grupi punues ka menduar që ne do të jemi lojal ndaj Bashkimit Evropian duke promovuar dhe festuar më shumë se vetë shtetet anëtare të BE-së, dhe unë mendoj se kjo ka qenë gabim në atë kohë sepse lojaliteti i Kosovës ndaj BE-së mund të jetë vetëm me punë praktike duke e pasur një sundim të ligjit më të mirë dhe duke pasur zhvillim ekonomik më të mirë.
Prandaj kjo datë është thënë disa herë por duhet thuhet në vazhdimësi se duhet të ndryshohet sepse Kosova ditën e Evropës mund ta festojë vetëm me punë e duke e mos e pasur festë zyrtare për këtë, prandaj kështu e festojnë edhe shtetet anëtare të BE-së”, thotë Sadiku për EO
Sadiku thotë për Ekonomia Online se konteksti evropian është promovimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i minoriteteve. Ai thotë se këto janë metodat më të mira për ta shënuar këtë ditë.
“Konteksti evropian për Evropën është që të ketë më shumë punë e më shumë kampanja që promovojnë të drejtat e njeriut dhe promovojnë respektimin e minoritetit dhe gjitha këto do të ishte forma më e mirë për promovimin dhe shënjimit të ditës së Evropës. Kjo datë duhet të ndryshohet në kalendarin e festave dhe të jetë një ditë pune e zakonshme sikurse ditët tjera”, tha ai.
Përfshirjen e 9 majit në listën e festave zyrtare, e vlerëson si të gabuar dhe të panevojshme edhe profesori universitar, Dorajet Imeri.
Sipas tij, kjo dëshmon edhe joseriozitetin e institucioneve të Kosovës në bërjen e ligjeve.
“Siç duke ne kemi lidhshmëri me Evropën vetëm në aspekte simbolike, pra ne shënojmë datat e themelimit të idesë së Bashkimit Evropian. Sigurisht kjo do të ishte e mirë po të shënohej me ndonjë aktivitet apo me arritje reale porse nuk do të ishte ditë pushimi në kuptimin se ne kemi mjaftueshëm çfarë të bëjmë dhe jemi madje shumë larg proceseve”, ka thënë Imeri.
Krahas kësaj, Imeri thotë se shënimi i kësaj dite do duhej të ishte reflektim për procesin integrues dhe në afirmimin e vlerave evropiane, raporton EO.
Ai ka kërkuar që procesi integrues të shënohet si një proces gjithditor e jo vetëm në datat simbolike.
“Fillimisht nuk do duhej të ishte ditë pushimi por duhej të ishte ditë shënimi për të reflektuar se ku jemi në procesin integrues, por jo vetëm si një proces i integrimit në karakterin politik por në afirmimin e vlerave evropiane, pra të një shoqërie demokratike dhe një qeverisje me llogaridhënie e të një plani zhvillimor ekonomik e të mirëqenies, pra duke marrë modelet evropiane të zhvillimit të shoqërisë dhe jo festat e tyre, prandaj ne duhet që në këto data të reflektojmë për punën tonë, por në të njëjtën kohë mos të shënohet reflektimi ndaj procesit integrues vetëm në datat simbolike, por që të shohim si një proces gjithëditor në mënyrë që të ecim sa më parë në procesin integrues”, u shpreh Imeri.