Analistët ndjehen fitues në debat, thonë se Edi Rama luftoi me fantazmat e tij

Prishtinë | 31 Tet 2016 | 22:36 | Nga

Analistë, publicistë e opinionistë janë mbledhur në emisionin “Zona e Debatit” ku kanë diskutuar për adresimin e fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, pas qëndrimit të tij në Kosovë dhe debatit që u zhvillua në Klan Kosova të enjten. Dardan Gashi thotë se ajo letër është vazhdim i asaj që Edi Rama kishte me portalistët ditën e debatit.

“Ai nuk kishte ardhur për të adresuar brengat por kishte ardhur për tu përleshur me fantazmat e portaleve. Ne patëm pyetje konkrete, por u pa që Rama nuk ishte i interesuar të përgjigjet në pyetjet tona dhe nuk pati logjikë të vazhdojë ashtu debati dhe kaloi me batuta. Publiku nuk e ka kuptuar që nuk ka pasur tendencë për konfrontim, as ndaj nesh as ndaj tij”, thotë Gashi.

Ai shton se nuk beson që do të ndërronte në qasjen e tij ndaj Ramës. “Nuk besoj që do ta kisha ndërrua qasjen pasi ne kemi pas pyetje konkrete ai nuk ka pas përgjigje konkrete. Ai nuk e ka adresuar audiencën e Kosovës por të Shqipërisë”, tha Gashi. Ilir Mirena thotë se e ka lexuar letrën e Ramës. “Në një gjë që aty isha pajtuar me të, është ndikimi i politikës së Shqipërisë edhe në Kosovë. Çka do që ndodh në Shqipëri reflektohet edhe te ne. Ajo çka nuk mu ka dukur në rregull është sulmi i madh ndaj medieve. Ato nuk janë fajtore për çka do që ndodh qoftë në Shqipëri qoftë Kosovë”, ka thënë Mirena.

Kurse edhe Astrit Gashi thotë se Rama të enjten luftoi me fantazmat e tij. “Në qoftë se ne ja kishim kthyer atij me gjuhën e njëjtë me fyerje dhe ofendime mendoj që e kishim devijuar kulturën kosovare por nuk ia kisha fal vetes nëse e kishim bo atë punë. U pa që në fakt ai ka qenë dallimi që është dasht me tregu. Kjo nuk është vërejt nga audienca në ‘Facebook’ posaçërisht. Ne kritikojmë njerëz dhe ata e kanë gjetur një vend ku të na kthejnë. Ne nuk jemi të paprekshëm por të shikuar çfarë po shkruan Edi Rama tregon që ai është ndarë më i pakënaquri, sepse krejt vëmendja ka qenë te ne. Ai është detyruar ta bëjë një shkrim në formën e njëjtë duke thënë që këta kanë qenë djem të mirë. Nëse ne do të kishim vazhduar me akuza atë imazh ja kishim dërguar”, thotë Astrit Gashi.

Kurse Petrit Zogaj ka thënë se është kulturë e tij që ofendimet t’i ketë normale. “Nuk ka një takim të Edi Ramës që nuk ofendon ose qytetarët e varfër të Shqipërisë apo këdo tjetër. Ajo çfarë pamë ne është që ma kujtoi Sali Berishën kur pati mbajtur një takim në Shkup ishte një tregues dëshpërues për humbjen e tij në zgjedhjet e atij viti. Një lloj linje e Ramës, Vuçiçit dhe Thaçit ndaj medieve. Thaçi në opinion kishte thënë që një pjesë e medieve po i ndërtojnë si agjendë. Edi Rama tha se problem nuk është politika por media, pra logjika e këtyre tre liderëve është se i mundon mendimi i lirë”, tha Zogaj.

Analisti Ilir Mirena ka thënë se Edi Rama me arrogancën e tij është i njohur, por që kjo në Shqipëri nuk vërehet aq shumë sa në Kosovë. “Këtu e ka pas më lehtë ta bëjë atë lloj debati, sepse nuk ka pasur kujt t’i jep llogari’, tha ai.

Kurse Dardan Gashi ka thënë se “Dokrrat e hirit” do t’i kthehen Ramës bumerang. “Ne nuk kemi ligj për import të mbeturinave në Kosovë edhe Edi Rama thotë ka edhe krejt kosovarët kanë thënë ka. Nëse Edi Rama thoshte se s’e kam emrin Dardan të gjithë do ta besonin. Kjo është diçka që duhet parë edhe prej psikologëve. Nuk ka pasur asgjë spektakolare në atë debat”, ka thënë Gashi.

Të ngjashme