Analistët politikë po vlerësojnë se është koha e fundit që Kosova ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, raporton Ekonomia Online
Madje njohësit e rrethanave politike sugjerojnë kryeministrin Albin Kurti që të mos e kushtëzojë heqjen e taksës me reciprocitet, por të dëgjojë ShBA-në.
Emërimin e ambasadorin Richard Grenell në krye të inteligjencës amerikane, po e shohin si një dëshmi shtesë për rolin e tij karshi dialogut Kosovë-Serbi.
Analisti politik, Ramush Tahiri në një prononcim për Ekonomia Online thotë se Albin Kurti tashmë është kryeministër i Kosovës dhe ka përgjegjësinë shtetërore dhe jo atë partiake.
Andaj kërkon nga ai që kërkesën e ShBA-së për heqjen e taksës ta marrë seriozisht dhe të mos vejë kushte, por të vepron ashtu siç Grenelli po kërkon.
Tahiri thotë se taksa pati ndoshta efekte të brendshme, por në arenën ndërkombëtare e ka dëmtuar dukshëm Kosovën.
“E ka harmonizuar programin me partnerin e koalicionit dhe Kurti ka një ndryshim pozitiv sepse sillet si njeri me përgjegjësi shtetërore që respekton Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe respekton partneritetin ndërkombëtar. Kërkesë që nga fillimi është e ShBA-së që Kosova ta heq taksën pa asnjë kusht. Sepse taksa është vënë njëanshëm, i ka pasur efektet e veta të cilat disa i vlerësojnë pozitive, disa negative, ndërsa në arenën ndërkombëtare asnjë pozitive. Do të thotë nuk kemi hasur në asnjë përkrahje ndërkombëtare për vendosjen e taksës sepse nuk është normë normale në marrëdhëniet ndërmjet shteteve”.
“Taksa dhe masat e këqija vetëm në gjendje lufte, në gjendje krize në aleancat ndërkombëtare. Ndërsa Kosova asnjërën nga këto nuk i ka në raportet me Serbinë. Albin Kurti duhet ta heq taksën pa asnjë kusht sepse politika e tij duhet bazohet në konventat ndërkombëtare, në respektim të Kushtetutës, në marrëdhënie të mira me fqinjët dhe nuk duhet të jetë politik e inateve dhe kushtëzimeve”, thotë ai.
Edhe analisti tjetër politik, Fatmir Sheholli thotë se Kosova duhet ta dëgjojë dhe të veprojë ashtu siç po kërkon ShBA-ja.
Thotë se reciprociteti duhet të vendoset, por fillimisht duhet hequr taksa.
“Duke pasur parasysh aleatin më të fuqishëm të shtetit tonë ShBA-në dhe veçanërisht tani z. Grenell si emisar special i presidentit Trump është e pajustifikueshme çdo formë tjetër e qeverisë sonë në koncept të asaj që quhet ndonjë lajthitje në vlerësimin e asaj që na ka thënë z. Grenell. Pra Kosova duhet gjithsesi dhe patjetër, e para aleatin e saj kryesor ta dëgjojë vazhdimisht, për arsye se kurrë keq nuk na ka dal kur i kemi dëgjuar ShBA-në. Dhe e dyta z. Kurti besoj që e ka marr njëfarë guximi që opinionin ta përgatitë për këtë çështje dhe kjo po shihet. Tek e fundit e ka edhe kushtëzim politik që këtë çështje ta bën shumë shpejt, por natyrisht që nuk i nevojitet kurrfarë reciprociteti në këtë aspekt për arsye se Amerika po thotë, jo me suspenduar, por duhet ta hiqni taksën. Në këtë aspekt unë besoj që puna e reciprocitetit mund të jetë ma vonë, gjatë rrugëtimit për arritje të marrëveshjes nëse Serbia sillet në formë çfarë është në kundërshtim me interesat amerikane”, thotë ai.
Politologu Ramush Tahiri thotë se çështja e reciprocitetit do të rregullohej në momentin kur të largohet taksa dhe të ketë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, kundërshton idenë e Kurtit që taksa të zëvendësohet me reciprocitet.
“Çështja e reciprocitetit vetvetiu është dhe ekziston edhe tash në moment që normalizohen marrëdhëniet, ose në moment që hiqet taksa. Sepse me Serbinë ne kemi marrëdhënie bilaterale në fusha të caktuara, në fusha të tjera nuk kemi fare. Aty ku kemi marrëdhënie është edhe tash reciprociteti, sepse ai është një raport që iu krijon barabarësi palëve, raport normal ndërmjet dy shteteve dhe nuk është në sasi, por në rregulla dhe në cilësi të këtyre rregullave”.
“Sot po të hiqet taksa nuk do të kemi vërshim të mallrave serbe sepse kontratat për import-eksport kontrollohen. Sepse pikat kufitare kontrollohen dhe malli që hyn nga i secili vend duhet t’i ketë normat për hyrje, cilësinë dhe të gjitha karakteristikat të cilat Kosova si shtet i bën këtu. Pra, reciprociteti është ngrit në një problem të panevojshëm teorik dhe secili po e thotë të vërtetën e vet, ndërsa reciprociteti është një masë krejt praktike e thjesht që është e paraparë në marrëveshje që Kosova i bën me vendet dhe kompanitë të tjera dhe është normë themelore e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, thotë ai.
Tahiri ka komentuar edhe emërimin e ambasadorit Grenell nga presidenti Trump në krye të shërbimeve të intelegjencës amerikane, duke thënë se kjo pozitë vjen si rezultat i sukseseve të tij në misione diplomatike, sidomos në rolin e tij në marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë mendoj që do të jetë një person tjetër i administratës amerikane i cili do të merr rolin e ndërmjetësit si emisar special i presidentit Trump në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshjen finale. Roli i ambasadorit Grenell ishte jashtëzakonisht i madh sepse varet me karakteristikat personale si ndikon dhe si e ka qasjen në arritjen e marrëveshjeve”.
“Ai arriti marrëveshje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për Serbinë. Por janë edhe një sërë marrëveshjes tjera që ndërkohë do të nënshkruhen. Ky ka arritur në një pozitë mjaftë të rëndësishme në krye të shërbimeve të inteligjencës dhe gjithashtu ShBA-ja do të emërojë një kuadër i cili e njeh rajonin dhe i cili ka raporte të mira me vendin dhe që është me rëndësi që e zbaton politikën e presidentit Trump dhe të ShBA-së. Roli individual mund të jetë 30 për qind më shumë sesa që është përcaktuar me strategji amerikane, por nuk është e ndryshme dhe është vazhdim. Kushdo që emërohet do ta vazhdojë punën deri në njohjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është edhe proces final i këtij dialogu”, thotë ai,
Edhe Sheholli vlerëson se një pozitë e tillë është mjaftë e rëndësishme për Grenellin dhe se kjo duhet të jetë sinjal i qartë për politikanët kosovarë se kërkesat e tij karshi taksës duhet të merren shumë seriozisht.
“Kjo do të thotë që z. Grenell është mbi të gjitha shërbimet e inteligjencës amerikane dhe i koordinon punët me to. Ky pozicion i jashtëzakonshëm të cilin Trumpi ia ka besuar z. Grenell është një mesazh jashtëzakonisht i fuqishëm edhe për neve si shqiptar që ai njeri është shumë i besueshëm dhe ne nuk guxojmë të bëjmë asnjë lojë dhe asnjë kompromis në koncept me ShBA-në, por duhet të jemi të saktë që në këtë kontekst të bëjmë ashtu siç na thonë ato”.
Ambasadori Richard Grenell disa herë ka përsëritur kërkesën e ShBA-së për heqjen pa kushte të taksës ndaj Serbisë, në mënyrë që t’i jepet shansi arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.